Rrëfimi për fshatin kosovar që po zbrazet për shkak të vrasjeve mes vete

Fshati Marmull, në Komunën e Gjakovës, po zbrazet çdo ditë për shkak të hasmërive e vrasjeve mes vete të banorëve të atjeshëm.

Ajo ishte 30-vjeçare e fëmijën më të madh e ka pasur 13 vjeç. Engjëll Nokaj u vra nga Anton Allaku, i cili u arrestua, por u arratis nga burgu. Edhe sot nuk jeton e qetë nga frika se diçka mund t’u ndodhë fëmijëve të saj, tashmë të rritur.

“Sot e asaj dite jam e qefit me ditë çka i kemi pasë borxh. Kurrë as tokë, as fushë as kurrgjo nuk kemi pasur me ta. Pse ai me ma vra burrin? Le që me ka vra burrin, por i majti vetëm 6 muaj burg. Shteti nuk e lypi ma”, thotë Age Nokaj për KTV.

Të shumta janë kërkesat që kjo kryefamiljare thotë se i ka bërë në organet e drejtësisë për ta gjetur vrasësin.

Në fshatin me rreth 130 shtëpi, ku me shumë se ligji ka fuqi kanuni, tash e 20 vjet vrasjet mes familjeve në konflikt kanë qenë të shpeshta.

Disa vjet pas vrasjes së bashkëshortit të Agës, familja Noka ka vrarë dy anëtarë të familjes Allaku.

Për vrasjen e Tunë dhe Dedë Allakajt janë dënuar tre anëtarë të familjes Noka, fillimisht me 90 vjet burg e pastaj dënimi u është zbutur në nga 25 vjet secilit.

Shtëpia mbeti mbi supet e Agës. Jeta thotë se ishte e vështirë.

“Pasha zotën boll vështirë. Duhet me thanë mas pari mos e provovt kush. Jetë katastrofe. A me rritë fmi, a me maj shpi, a me i shkollu…edhe me tutë besa fmija… kurrë njo nuk kom mujt me i shkollu. Ai që ma ka vra burrin nuk është në burg, nesër del ta vranë fminë. Del ta myt ai fminë. Unë as në shkolla nuk kam mujt me i çu. Edhe unë kam pas qef me i shkollu”, shprehet Age Nokaj.

Familja Allaku, është në hasmëri edhe me familjen Hili. Tre anëtarë të kësaj familjeje, në mesin e tyre një 13-vjeçar, janë vrarë, megjithatë vetëm për dy të vrarë është dënuar një anëtar i familjes Allaku. Për viktimën tjetër nuk është arrestuar asnjëherë askush.

Familja Allaku nuk gjendet më në fshatin Marmull. E edhe një pjesë e familjes Hili ka nisur të largohet.

Nëna, motra dhe vëllai i 13-vjeçarit të vrarë 6 vjet më herët, tashmë janë larguar nga Kosova. Sipas familjarit të tyre, Pren Hili, ata kanë marrë azil në Zvicër.

“Familja e Palit gjendën në Zvicër. I kam largu për shkak të rrezikshmërisë”, shprehet Pren Hili.

Në mesin e personave që u janë falur nga disa vjet burg nga presidenti, disa javë më parë është edhe Luz Allaku, i dënuar për vrasjen e dy anëtarëve të familjes Hili.

Në këtë fshat, në fillim të vitit 2019, një konflikt mes tri familjeve të tjera pati përfunduar me vrasje. Për një kontest pronësor, Alfred Gjugja akuzohet se ka vrarë Tunë Bezhin e se ka plagosur Anton Nikollën. Rasti ende nuk ka marrë epilog nga gjykata.

Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për rastin e arratisjes nga burgu të vrasësit të bashkëshortit të Agës. Ndërkohë që për shkak të mosmbajtjes së seancave gjatë pandemisë, është zvarritur edhe gjykimi i rastit të familjeve Gjugja, Bezhi e Nikolla.