Rrjeti që bashkoi botën ka një histori zhvillimi prej gjysmë shekulli

Përdorimi i internetit në Kosovë ka filluar pas luftës, ndërsa një zgjerim më të madh ka përjetuar në 12-13 vitet e fundit, por rrjeti mbarëbotëror i komunikimit ka një zanafillë prej 50 vitesh.  

Këtë vit përdorimi i internetit shënon një hap historik: 3.9 miliardë njerëz në glob, ose më shumë se gjysma e njerëzimit, është e lidhur me rrjetin më të madh të shpërndarjes së informacionit që ka ekzistuar ndonjëherë në botë. Shumë prej nesh nuk mund ta imagjinojnë më jetën pa internet.

Interneti sot përdoret për të komunikuar, për të mësuar, për blerje, për të zgjeruar horizontet tona dhe për të kënaqur tekat tona, për të bërë miq dhe madje edhe për të gjetur të dashur.

Por interneti është edhe një hapësirë ​​e egër. Ndërsa feston gjysmëshekullin e vet, interneti sot është në udhëkryq dhe me plot dilema.

Ka që thonë se ka nisur me një mesazh të dështuar (error message). Vonë në mbrëmjen e 29 tetorit 1969, studenti i programimit Charles Kline u përpoq të dërgonte një tekst nga një kompjuter në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles (UCLA), për në Institutin e Kërkimeve Stanford, më shumë se 500 kilometra larg, në bregdetin e Kalifornisë. “LOGIN”, supozohet të ketë qenë fjala. Kline kishte dërguar vetëm “LO”, ndërkohë që sistemi ra. Mesazhi i plotë u dërgua një orë më vonë.

Kështu fillon rrjeti më i madh i komunikimeve në historinë njerëzore. Sigurisht që askush nuk mund ta merrte me mend atë që do të ndodhte më vonë. “Ne e dinim që po krijonim një teknologji e re e të rëndësishme që do të mund të përdorej nga një segment i popullatës, por ne nuk e kishim idenë se sa e madhe dhe e rëndësishme qe ajo ngjarje,” tha më vonë Leonard Kleinrock, profesori i Kline. Pesëdhjetë vjet më pas, ne jemi ende vetëm në fillimin e mundësive dhe pasojave.

Interneti modern me të gjithë specifikat e tij i ka rrënjët në këto fillime të vogla. E rëndësishme ishte se nuk pati asnjë kontroll të centralizuar. ARPANET ishte shpërndarësi i “në rrjet”. Informacion, i zbërthyer në qindra ose mijëra pako të vogla, udhëtonte nga skaji në skaj përmes ose në këto rrjete. Nëse një nyje ishte e fikur (offline), informacioni gjente një tjetër rrugë, secila “pako” ndiqte një trajektore në drejt një skaji tjetër. Ky koncept, i njohur si shkëmbimi i paketave, ishte zhvilluar që në fillim të viteve 1960 nga tre grupe të pavarura studiuesish në Britaninë e Madhe dhe SHBA, përfshirë edhe ekipin e Kleinrock. “Kjo e bëri sistemin shumë elastik,” thotë Johnny Ryan, i kompanisë së teknologjisë Brave, autori i “Historia e Internetit dhe e ardhmja dixhitale.”

Shtylla kurrizore e internetit janë një seri kabllosh nënujore me fibër optike që lidhin rrjetet kombëtare të komunikimit. Dendësia e këtyre lidhjeve nënujore përcakton gjerësinë e brezit të disponueshëm për flukset kryesore të të dhënave globale.

Kushdo që lidhet me internetin, zakonisht përmes një ofruesi të shërbimit të internetit, bëhet pjesë e rrjetit global. Rrjetet e veçanta në të gjithë globin komunikojnë me njëri-tjetrin duke përdorur një gjuhë të përbashkët, të njohur si TCP/IP, për të gjurmuar të dhënat nga pika në pikë.

Që nga viti 1998, përgjegjësia për rregullimin bazë të internetit, përfshirë edhe caktimin e shpërndarjen e adresave IP, që lejon kompjuterët të lokalizojnë njëri-tjetrin, mbahet nga korporata jo-fitimprurëse e Internetit për Emrat dhe Numrat, ICANN, me qendër në Los Angeles. Fillimisht në varësi të qeverisë amerikane, që nga viti 2016 ajo mbikëqyret nga një komitet ndërkombëtar, duke bërë që interneti të mos jetë në pronësi të vërtetë nga askush. /Bota.al/