Rrugëtimi i një mërgimtari që mbeti i lidhur përjetësisht me vendlindjen

Në moshën 83-vjeçare ka ndërruar jetë Xhemajli (Imer) Shasivari nga Vërbica e Zhegocit (lagja Ibishi), një tip malësori me shtat të hedhur, që ngjante shumë në artistët e mëdhenj të botës.

Ai ishte njeri me vullnet të madh, plot besim e pozitivitet në jetë, pavarësisht nga e shtynë fatet e jetës që të rrugëtojë.

Xhemajlit iu desh ta marrë rrugën e kurbetit shumë i ri, menjëherë pas mbarimit të ushtrisë dhe për pesë vjet nuk pati mundësi t`i shohë familjarët.

Prindërit i vdiqën kur ai ishte ende i vogël dhe si djalë i vetëm, është rritur tek xhaxhai.

Xhemajli i kujtonte me mall prindërit, sidomos për disiplinën dhe karakterin e fortë që ia kishin mësuar e ngulitur në kokë.

Ndonëse ishte larguar para 44 vitesh nga vendlindja, për një jetë sa më të mirë dhe më tepër se gjysmën e jetës e kaloi në Hajvali, malli për Vërbicën e tij nuk iu shua kurrë.

E vizitonte shpesh vendlindjen, ku siç thoshte, zemra i bëhej mal dhe ku rikthehej në kujtimet e fëmijërisë dhe kohërat e vështira që kishte kaluar gjatë jetës.

Porosia e tij për 6 fëmijët ishte që gjithmonë të ruajmë traditën shqiptare, të trashëguar brez pas brezi.

Ndonëse ka punuar në kurbet, nuk ishte asimiluar në kulturat e huaja. Pavarësisht se e donte Evropën, ai gjithmonë thoshte ‘jam Amerikë’.

Fëmijët, nipat dhe mbesat e tij, ndonëse jetojnë në Gjermani e Austri, të gjithë e flasin gjuhën shqipe pastër dhe rrjedhshëm.

Ata  thonë se janë krenarë me rrëfimet e gjyshit të tyre dhe se gjithmonë anojnë të vijnë në Kosovë, sa herë u jepet mundësia.

‘Ngado që shkoni, vendlindjen mos e harroni”, ishte porosia e Xhemajlit për pasardhësit e tij dhe ata, pavarësisht nga kanë të shpërndarë nëpër botë, e kanë gjithmonë në mendje këtë fjali të babait dhe gjyshit të mirë e të urtë, që sot iku nga kjo botë. /L. Shasivar/mediafokus.info