Sa është transparente Qeveria Hoti?

Kosova edhe më tej është duke u përpjekur që të ndërtojë institucione transparente dhe llogaridhënëse, por sipas përfaqësuesve të organizatave joqeveritare, institucionet qeveritare dhe ndërmarrjet që janë në pronësi publike, ende vuajnë nga mungesa e transparencës.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e Lëvizjes FOL, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se po bëhen gati 100 ditë të qeverisë të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti, dhe sipas saj, kjo qeveri ende nuk ka emëruar zëdhënësin e saj, i cili konsiderohet si një urë lidhëse mes qeverisë dhe shoqërisë civile.

“Marrë parasysh edhe gjendjen aktuale shkaku i pandemisë, shumë vendime kjo qeveri i ka marrë, por jo që janë prezantuar para qytetarëve në mënyrën e duhur. Sa i përket takimit të 4 shtatorit në SHBA, që mendoj se duhet të kemi një transparencë më të madhe rreth këtij takimi. Është thënë se do të ketë një ‘Ekip të Unitetit’, por ende gjithçka është në mjegull, pra nuk kemi informata nga qeveria se sa është punuar në këtë drejtim, a janë ftuar partitë opozitare apo shoqëria civile”, tha Demolli-Nimani.

Ajo thotë se Kosova kohëve të fundit ka marrë donacione të ndryshme nga shtete të ndryshme dhe Bashkimi Evropian dhe në këtë drejtim, siç shprehet ajo, duhet një transparencë më e madhe për mënyrën se si do të adresohen ato mjetet.

“Do të donim të kemi një transparencë shumë më të madhe rreth kësaj çështjeje se si do të shpenzohen këto mjete e donacione nga Qeveria e Kosovës”, tha Demolli-Nimani.

Visar Xhambazi, analist nga organizata Demokracia për Zhvillim, tha për Radion Evropa e Lirë, se me gjithë zotimet e kryeministrit Avdullah Hoti se qeveria e tij do të jetë transparente, në praktikë nuk është. Ai thotë se mostransparenca është duke u vërejtur.

“Në fakt, për dallim nga qeveria e kaluar, Qeveria Hoti nuk ka zëdhënës të qeverisë. Si rezultat, kjo po krijon vështirësi për mediat në marrjen e informacioneve nga institucionet relevante. Vlen të theksohet mungesa e informacioneve në raport me dialogun Kosovë-Serbi”, tha Xhambazi.

Mostransparenca, thekson Xhambazi, nuk është problemi i vetëm me të cilin po ballafaqohet kjo qeveri.