Sadiku: Cerrneli ku dikur kullosnin delet, sot është shndërruar në deponi mbeturinash!

Shefik Sadiku shprehet i tmerruar me sjelljet e papërgjegjshme të qytetarëve ndaj planetit ku jetojnë. Ai ka publikuar foto nga kodra e qujatur Cernell (komuna e Vitisë), e cila është mbuluar nga mbeturinat.

“Kodra e njohur me emrin Cerrnel, në mes fshatrave Skifteraj dhe Mogillë, dikur “shëmtohej” nga prania e madhe e deleve dhe qengjave që kullosnin barin e pastër të kësaj kodre, kurse sot, në mungesë të deleve dhe qengjave, Cerrneli “lulëzohet” nga prania e plehrave dhe mbetjeve të materialeve inerte”, ka shkruar Sadiku në profilin e tij në facebook.

Ky është postimi i tij i plotë: 

Këto pamje nuk janë nga një mes i largët nga ne, por janë shëmti e neveritshme e ambientit ku jetojmë e punojmë. Kush do që këto pamje të mos i shikojë vetëm nga fotoja, le ta marri rrugën drejt Cerrnelit, buzë rrugës së asfaltuar Skifteraj-Mogillë.

Kodra e njohur me emrin Cerrnel, në mes fshatrave Skifteraj dhe Mogillë, dikur “shëmtohej” nga prania e madhe e deleve dhe qengjave që kullosnin barin e pastër të kësaj kodre, kurse sot, në mungesë të deleve dhe qengjave, Cerrneli “lulëzohet” nga prania e plehrave dhe mbetjeve të materialeve inerte.

Fatkeqësisht këto pamje tmerruese vetëm sa po shtohen për çdo ditë.

Qytetarët e pandërgjegjshëm nuk qajnë kokën për degradimin e natyrës, kurse pushtetarët e papërgjegjshëm, sigurisht në mos i pastë zënë gjumi, kanë “frikë” të dalin në terren nga pandemia.

Ne, si qytatarë të zakonshëm, e vetmja mundësi për ta shprehur mllefin për këtë degradim, ka mbetur reagimi përmes rrjeteve sociale.

Pushtetarët e kanë detyrim ligjor të veprojnë, por si duket sikur në çdo sferë të jetës në Kosovë, edhe për mbrojtjen e ambientit i kanë futur veshtë në lesh.

Çka shkatërrohet sot, vështirë rregullohet nesër, sidomos kur të keqen e bëjmë me vetëdije.

Këto pamje shëmtuese nuk i keni nga unë, por nga të pandërgjegjshmit dhe të papërgjegjshmit.

Kërkoj nga ju, të dashur lexues, mirëkuptim për pamjet që nuk do të dëshironit t’i shihni me vullnet.