Salihu: Komuna e Gjilanit po bëhet një shembull i mirë i jetësimit të barazisë gjinore

Gratë në Gjilan i gëzohen faktit që ligji për barazi gjinore po jetësohet mjaft mirë në këtë komunë. Së fundi, kryetari i Komunës ka emëruar dy gra në pozita udhëheqëse.

Lindita Salihu, zyrtare për Barazi Gjinore, ka thënë se i vlerëson lart veprimet e fundit të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, për emërimin e dy grave në pozita udhëheqëse në institucionet komunale.

Ligji për Barazi Gjinore dalëngadalë po jetësohet. Zhvillimet e fundit na bëjnë të ndihemi mirë e t’i gëzohemi faktit se gratë dhe vajzat tona po dëshmojnë menaxhim të suksesshëm dhe kjo si duket po i bind edhe burrat udhëheqës, në këtë rast kryetarin e komunës sonë, i cili ditëve të fundit ka emëruar edhe dy drejtoresha gra në dy institucione të rëndësishme, siç janë  Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare dhe Drejtoria e Buxhetit dhe Financave.

Po ashtu, është mandati i dytë që Kuvendi i Gjilanit kryesohet nga kryesuese gra, të cilat janë treguar mjaft të zonja dhe të guximshme. Në mandatin e kaluar qeverisës Kuvendi u kryesua nga Valentina Bunjaku Rexhepi, e cila tani është deputete e zëshme Parlamenti, teksa aktualisht Kuvendi kryesohet nga Shpresa Kurteshi Emini, e cila po ashtu po tregon vendosmëri dhe model lidershipi për vajzat e gratë që kanë dëshirë dhe synime për udhëheqje.

Për më tepër,  drejtoritë komunale të udhëhequra nga gratë janë Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik dhe Drejtoria e Kulturës. Të dyja këto drejtoresha janë treguar të suksesshme, kreative dhe mjaft të përgjegjshme në punën e tyre, duke realizuar projekte të rëndësishme në të mirë të qytetarëve të Gjilanit.

Por, më e mira e të gjitha rezultateve të lartpërmendura është fakti se çdo ditë po dëshmohet se gratë dhe vajzat janë profesionale në punë dhe kjo si duket e ka shtyrë edhe kryetarin e Komunës që menaxhimin e dy institucioneve të rëndësishme t’ua besoj pikërisht dy zonjave: Arbenita Hajdarit (QKMF) dhe Meral Sadriut (Buxhet dhe Financa).

“Nuk është se u gëzohemi këtyre emërimeve vetëm sa për të thënë se u emëruan gra për t’i arritur kuotat për përfaqësim të barabartë, siç e parasheh Ligji për Barazi Gjinore, por i gëzohemi faktit se dalëngadalë po thyhen paragjykimet e stereotipet gjinore se gratë dhe vajzat nuk mund të udhëheqin drejtori të mëdha e institucione të larta, se ato hezitojnë, se  nuk kanë guxim e të tjera”, ka thënë Salihu.

Për më tepër, ajo thotë se ka edhe shumë e shumë shembuj të tjerë ku vajzat dhe gratë tona dëshmojnë vazhdimisht se çfarëdo qëllimi që kanë, mund ta arrijnë.

“Duhet çdo ditë ta kujtojmë se Majlinda Kelmendi shkëlqen si kampione olimpike, duke e përfaqësuar Kosovën në mënyrë unike, madje edhe në vendet që ende nuk na kanë njohur. Ajo me ketë po i heq dilemat dhe normat tradicionale se fusha e mundjes nuk është sport i vajzave. Majlinda u mor vetëm si një shembull suksesi, ngase të ngjashme kemi përplot e çdo ditë. Atyre vetëm duhet dhënë rastin”, thotë Salihu.

Ajo shton se tashmë është kuptuar se qeveritë që udhëhiqen vetëm nga burrat, vërtet duken qeveri të zymta, apatike dhe te papranueshme. Andaj shembujt e mirë që mund t’i marrim nga shtetet më të zhvilluara, të cilat e shfrytëzojnë kapacitetin e tërë shoqërisë, do të duhej t’i kishim model veprimi.

“Edhe ne le të bëhemi model i së mirës dhe të paraqitemi para gjeneratave të reja të vajzave dhe të djemve me shembullin se vetëm duke respektuar barazinë gjinore në çdo sferë të jetës, mund të jemi më të suksesshëm dhe më të dinjitetshëm”, thekson zyrtarja për barazi gjinore, Linditë Salihu.