Selami Osmani – Bezi ishte dhe mbetet ikona më e madhe e sportit në Gjilan

Selami Osmani – Bezi ka qenë ikonë e sportit për disa vite rresht. Për gjithë kontributin e tij, Selamiu është nderuar vitin e kaluar me çmimin “Nderi i Qytetit”.

Në kohët më të vështira, kur mbijetesa jonë njerëzore dhe kolektive ishte e rrezikuar, Selamiu dhe të tjerët dhanë kontribut të madh në organizim e veprimtarive sportive, kulturore e atdhetare.

Familjen e tij e ka vizituar sot nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli.

Kënaqësi dhe ndjenjë e jashtëzakonshme ta vizitosh familjen e Selami Osmanit Bezi, ka thënë ai.

Kjo familje është një ndër më të mirat gjilanase. Ajo çka e karakterizon, është mirëpritja e ngrohtë, nderi dhe respekti, që janë frymëzim burimi nga i ndjeri, Sela.

Bezi, përveç që ishte njëri ndër ikonat e kohës gjilanase dhe përtej, ai ishte një njeri i ndershëm, punëtor e sakrifikues.

Veprimtaria e tij humane dhe njerëzore ishte vlerë sublime e tij.

Sportdashësit dhe miqtë e tij, zgjoheshin dhe jetonin me veprën dhe heroizimin e tij.

Përveç tjerash, ai ishte një punëtor i pashoq, që në mendjen e tij kishte dituri, punë, angazhim, arritje e mbi të gjitha dashuri për njerëzit dhe rrethin.

Selami Osmani Bezi ishte një ndër revolucionarët më të mëdhenj të “bardhë e kaltërve”, duke bërë revolucion në këtë ekip me lojtarë profesionistë ndërkombëtarë.

Kjo skuadër, arriti të bëhej rreshtazi kampion nën drejtimin e tij.

Emri i tij vazhdon të bënë jehonë nëpër çdo lojë të “bardhë e kaltërve”.

Selami Osmani Bezi do të mbetet frymëzim intelektual, kombëtarë e patriotik, për çdo figurë të ndritshme në vendin tonë.

Perandoria e tij familjare do të vazhdojë të bëjë jehonë në qytetin tonë.

Bezi do të mbetet në mbamendjen tonë si frymëzim, i cili na mësoi se si arriti ta çrrënjos egoizmin mbi njerëzit.

Selamiun do ta kujtojmë përherë me krenarinë më të madhe, si njeri i shpresave dhe idealeve intelektuale e kombëtare, ka shkruar Ismajli.

/mediafokus.info/