Serbët po kthehen në Kosovë, në Luginën e Diellit po ndërtohet edhe kisha

Me flamuj të Serbisë nëpër ballkone, 58 familje serbe pranuan çelësat e banesave dhe u kthyen në veri të Kosovës, saktësisht në komunën e Leposaviqit.

Në ceremoni mori pjesë edhe ndihmësi i Gjuriqit, Petar Petkoviq dhe deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq.

Por, siç shkruan RTK, ky duket se është vetëm fillimi i planit të Serbisë, për rikthimin e serbëve në veriun e Kosovës.

Projekti që njihet si “Lugina e Diellit” në komunën e Zveçanit, tash duket se po shkon drejt përfundimit. Aty pritet të vendosen mbi 1 mijë e 500 familje të tjera serbe.

Një ditë pas dorëzimit të 58 çelësave për banorët serbë në komunën e Leposaviqit, punimet për kthimin e serbëve në pjesën veriore, po vazhdojnë edhe në zonën që njihet si Lugina e Diellit. Brenda pak javësh, në objektet që po shihen pas meje, pritet të vendosën edhe mijëra serbë të tjerë

Punimet kishin nisur në marsin e vitit 2019. Por kur ka kaluar më shumë se një vit nga atëherë, çdo gjë po shkon drejt finalizimit.

Ekskavatorët po vazhdojnë punën intensivisht, përderisa përveç shtëpive, qeveria e Serbisë ka ndihmuar edhe me ndërtimin e banesave kolektive.

Kjo situatë po bëhet e papranueshme, për shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore.

“Shqiptarët në anën tejtër janë tu vujt, nuk mun me nejt në trojet e veta, për serbët pa lejke pa kurgjo ndërtohen objekte, e shumë shpejt ata do të vinë me banu”, shprehet Arsim Paqarada nga Suhodolli.

Të gjithë punimet janë kryer nga kompani shqiptare, kurse investimet nga Qeveria e Serbisë, pritet të vazhdojnë.

“Kjo vec është shumë afër ëprfundimit, shumë shpejt këta besoj që para vitit të ri vendosen. Kësi banesa skeni as midis Prishtine”, thotë Paqarada.

Me ritëm të shpejtë, serbët po i vazhdojnë edhe në objekte të tjera.

Por, gjendja në anën e shqiptarëve është krejt tjetër.

Në Kroin e Vitakut, shtëpitë e shqiptarëve kanë mbetur të paprekura tash e 6 vjet. Banorët shqiptarë insistojnë se nuk do ta lëshojnë atë zonë, por kanë kritika të ashpra për institucionet.

RTK për këtë temë, ka kërkuar sqarime nga Qeveria, nëse ka leje për këto ndërtime në pjesën veriore, por nuk ka marrë përgjigje.

Një deklaratë për situatën atje, e kishte dhënë javë më parë kryeministri Avdullah Hoti.

“E dijmë që kemi vështirësi në atë pjesë të vendit, por ligjin është një si për jug si për veri, andaj ne nuk do të heqim dorë nga tentimi për ta shtrirë sovranitetin edhe në atë pjesë”, kishte thënë Hoti.

Në zonën që njihet si Lugina e Diellit, në muajin qershor, ka nisur ndërtimi edhe i një Kishe Ortodokse.