Serbia vendos tela me gjemba në kufirin me Maqedoninë e Veriut

Serbia ka filluar të vendosë tela me gjemba në kufirin me Maqedoninë e Veriut, në afërsi të Preshevës.

Ky gardh me tela gjemborë do të duhej të pamundësonte kalimet masive të paligjshme të kufirit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, autoritetet e vetëqeverisjes lokale në Preshevë.

Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës, e cila gjendet në jug të Serbisë dhe 380 kilometra larg nga Beogradi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që ngritja e gardhit me tela gjemborë është pjesë e marrëveshjes me Bashkimin Evropian (BE).

“Mendojmë që gardhi me tela gjemborë është në funksion të sigurimit të kufijve jashtë BE-së për refugjatët, të cilët ndoshta pritet të na frekuentojnë në këtë pjesë të ‘Rrugës Ballkanike’”, theksoi Arifi.