Sërish viktima nga Covid-19 në Shqipëri

Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri kanë rezultuar pozitiv si të infektuar me Covid-19, 119 persona. Fatkeqësisht gjatë 24 orëve të fundit nuk e kanë fituar betejën me Covid-19 një 60-vjeçar nga Durrësi dhe një 80-vjeçare nga Korça. Ndërkohë, janë shëruar 22 persona.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 501 testime për të dyshuar të prekur nga COVID-19, ndërsa 119 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 54 raste në Tiranë, 10 raste në Kamëz, nga 7 raste në Elbasan dhe Kukës, 6 raste në Korçë, nga 5 raste në Durrës dhe Shkodër, nga 4 raste në Fier dhe Kavajë, 3 raste në Lezhë, Mirëditë, nga 2 raste në Mat, Kurbin, Rrogozhinë, 1 rast në Has, Maliq, Sarandë, Shijak, Vlorë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 117 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 16 në terapi intensive, 5 prej të cilëve të intubuar.