Sfidat dhe përparësitë e mësimit online

Shkruan: Msc. Lumturije Hasani

Institucionet arsimore kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm rreth ofrimit të mundësisë për vazhdimin e mësimit në një formë ndryshe nga ajo më të cilën jemi mësuar. Të mësuarit në distancë përmes platformave të ndryshme është e vetmja mundësi që në një situatë pandemie nxënësit të jenë në kontakt më mësimdhënësit dhe në hap më mësimnxënien.

Nëpërmjet edukimit në distancë, ku nxënësit dhe mësuesit i bashkon teknologjia, komunikimi nxënës-mësues ndodhë në kohë reale, mësuesi shpjegon, plason informata të drejtpërdrejta, ofron detyra, pret përgjigje, të gjitha këto janë indikatorë se mësimi virtual është i realizueshëm dhe mund të jetë si formë e mësimit me dobi të veçantë sidomos në kushte emergjente.

Pavarësisht se ku zhvillohet mësimdhënia, në klasa tradicionale, apo në klasat virtuale, gatishmëria nga mësimdhënësit për të punuar dhe nga nxënësit për të mësuar është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjmë për të na motivuar tutje.

Mësimi në distancë ka ndikuar të mësimdhënësit në ndryshimin e përdorimit të metodave, që në mësimin klasik i kanë praktikuar shumë pak ose nuk i kanë përdorur fare, prandaj është e arsyeshme qe mësimdhënësit te ndihen të hutuar dhe të stresuar.

Sistemi arsimor ka të meta edhe në formën klasike, megjithatë është një hap i mirë, që nxënësit të mos mbesin mbrapa me mësime. Kjo formë e mësimit edhe pse po krijon stres tek mësimdhënësit dhe nxënësit, në anën tjetër përkushtimi i tyre në punë dhe në mësime, po ndikon pozitivisht në largimin e stresit dhe panikut ndaj sëmundjes Covid-19 e cila e ka përfshirë tërë botën.

Sfidat

Sfidat që mund të dalin në këtë proces mund të jenë të shumta për mësimdhënës që nuk kanë pasur qasje më herët në internet, por gjithashtu edhe për nxënësit që mund të kenë mungesë të pajisjeve teknologjike, mungesë të udhëzimeve, dhe nxënësit që kanë pasur vështirësi në të nxënë edhe në formën klasike.

Mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë mësues-nxënës, mungesa e komunikimit, ku mësimdhënësit nuk mund të mbështetën në shenjat jo verbale për ta konfirmuar nëse informacioni është transmetuar tek nxënësit, nëse janë të vëmendshëm dhe e kanë kuptuar materialin mësimor.

Mungesa e mekanizmave për të vendosur rregull dhe disiplinë në një orë mësimore në mënyrë që nxënësit të tregojnë respekt ndaj mësimdhënësit dhe disiplinë në klasë .

Vendosja e materialeve të shumta nga mësimdhënësit pa orar të caktuar, ngarkimi me detyra të shtëpisë më shumë se sa mund të bëjnë në këto kushte mund të krijoj stres të nxënësit. Hulumtimet tregojnë se materialet më të shkurta dhe audio/video prezantimet jo më shumë se 10 minuta, janë më të favorshëm që nxënësit t’i lexojnë dhe t’i ndjekin ato.

Anashkalimi në kryerjen e detyrave mund të rrjedhë nga mungesa e prezencës fizike në klasë. Mundësia e kopjimit nga ana e nxënësve në zgjedhjen e detyrave, testeve, vlerësimi i njohurive të nxënësve janë disa prej të metave të mësimit online.

Përparësitë

Mësimi në distancë hapë mundësi edukative duke lejuar nxënësit të mësojnë nëpërmjet platformave të sigurta të edukimit, ku nxënës e mësimdhënës ndërveprojnë e komunikojnë njëlloj si në një klasë tradicionale.

Mësimdhënësit dhe nxënësit kanë komoditet që të qasen nga cili do vend, te marrin mësimet e tyre edhe pa qenë fizikisht.

Gjithashtu, mësimi në distancë i ndryshon marrëdhëniet, ndërmjet mësimdhënësve dhe nxënësve, komunikimi mësimdhënës- nxënës është më i hapur, gjë që nuk ndodh në arsimin tradicional.

Ndërveprimi dhe angazhimi mund të shihet edhe nga nxënës të tjerë, të cilët në klasë kanë qenë më pak aktiv, më introvertë dhe kanë hezituar të përgjigjen para masës, ndërsa mësimi virtual ua bënë më të lehtë këtë.

Avancim në përdorimin e pajisjeve teknologjike te mësimdhënësit.

Mësimdhënësit mund të komunikojnë dhe të konsultohen me kolegë rreth punës se tyre më lehtë dhe më shpejt.

Pajisjet teknologjike ua mundësojnë nxënësve nga vende të ndryshme të mësojnë dhe së bashku të zgjidhin problemet e caktuara të mësimit.

Rekomandimet

Praktikimi i mësimit online ka krijuar stres të shumica e mësimdhënësve, në këtë rast është e nevojshme të merren parasysh këto rekomandime:

  • Mësimdhënësit nuk duhet të hezitojnë së kërkuari ndihmë rreth formës së mësimit online, në mënyrë që të marrin udhëzimet e duhura, sepse kjo formë e mësimit është e re për të gjithë ne;
  • Të përcaktojnë orarin e punës, në mënyrë që të menaxhohet koha, duhet të ofrojnë materiale për nxënës aq sa janë të nevojshme, dhe mos t’i mbingarkojnë;
  • Nevojitet durim, vetëbesim dhe vetëfikasitet në punën e tyre profesionale, dhe fokusim në qëllimet e tyre. Duke menduar rrethanat në të cilat jemi, është e vështirë të arrijmë të gjitha objektivat tona;
  • Të përkushtohen në punën e tyre aq sa është e mundshme, të lirohen nga stresi, sepse stresi i tepërt mund të reflektohet edhe tek nxënësit./Enkas për Mediafokus.info/