Shefqet Zymberi ishte figurë e urtësisë dhe qytetarisë

Në Gjilan, edhe një intelektual tjetër shqiptar është ndarë nga jeta. Shefqet Zymberi, shembull tipik i një qytetarie të urtë, kaloi në amshim në moshën 79-vjeçare.

Profesori Mehmetali Rexhepi, në një dedikim për Shefqet Zymberin, thotë se ai ishte një dashamir i shquar i kombit dhe atdheut, një vetëdije e lartë shqiptare, vetëdije qortuese, korrektuese në mjedisin e vet për papjekurinë tonë, për gabimet tona, si brez më i ri përkitazi pushtuesve jugosllavë.

Baca Shefqet ishte këshilltar i urtë, por kritik me përvojë të librit, të burgut dhe të jetës në përgjithësi…

Ma kishte ëndja të shkëmbeja diçka me të, të merrja mendimin e tij të mprehtë, të shpejtë, të aty për atyshëm, por me peshë, me vlerë.

Vlerat ia kam çmuar bacës Shefqet edhe për së gjalli, por erdhi çasti i dhimbshëm t`ia shqiptoj tash këto pakëz fjalë shpirti e zemre një figure të urtisë e qytetarisë, që do t`i mungojë, pos familjes, edhe qytetit e popullit tonë, ka shkuar profesor Rexhepi.