Shën Ana “jeton” mes shqiptarëve të besimit islamë

Gjilani si komunë e Anamoravës nuk ka popullsi te besimit katolikë, por Kishën e Shën Anës në Dunav e ruan me një fanatizëm të madh, si vlerë të trashëgimisë kulturore. Shën Ana, që ndodhet afër trekëndëshit kufitar Kosovë-Serbi Maqedoni, nuk kryen shërbesa fetare prej pas luftës e këndej. Para dhe gjatë luftës, motrat e nderit e kanë ndihmuar shumë popullatën e kësaj ane, që kryesisht ishte myslimane.

Sipas të dhënave të Qendrës për Trashëgimi Kulturore, kisha në Dunav, e ndërtuar në vitin 1938, është bërë nga gurët e tullat. Në anën e majtë të hyrjes, është kambanorja e lartë 12 metra. Kulmi i kishës është riparuar në vitin 2012.

Banorët janë shpërngulur gjithandej, por dëshira e tyre për t`u rikthyer për një liturgji në kishën e vendlindjes nuk është shuar asnjëherë. Nga ky fshat është edhe don Shan Zefi.

Kisha e Dunavit vazhdon të mbetet një “mbretëreshë” kulti mes Grykës së Karadakut, e rrethuar nga malet dhe rreth e për çark e banuar me popullatë të besimit islamë. Me iniciativë të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, bashkësitë fetare në Gjilan kanë pastruar xhaminë e Mulla Idriz Gjilanit (1936) dhe kishën “Shën Ana” në Dunav, disa herë. Që nga Lufta e Dytë Botërore nuk mbahet mend që në Gjilan të ketë pasur ndonjë problem ndërmjet besimtarëve të feve të ndryshme.

Para disa vitesh, persona të panjohur kanë gërmuar në një kënd të themeleve të Kishës së Shën Anës në Dunav dhe me sa është konstatuar, nuk kanë pasur për qëllim dëmtimin e objektit, por sipas të gjitha gjasave, kanë kërkuar ndonjë thesar. Në këto anë qarkullojnë legjenda për fshehjen e qypave të arit. Legjenda të tilla ka edhe në zonat tjera të Gjilanit.

Kisha e Shën Anës nuk ekziston vetëm në legjenda, por edhe në realitet. Ekziston sepse banorët e Grykës së Karadakut, të besimit islamë, kujdesen për të. Edhe kisha i ka ndihmuar ata në ditë të vështira. Prej kohës së luftës e këndej, kur popullata shqiptare u dëbua, fshati Dunav është i boshatisur.

Vetëm një familje jeton diku tri kilometra larg kishës. Në ambientet e kishës, për disa vite rresht është zhvilluar një pjesë e manifestimit “Trekëndëshi poetik i paqes”, ku bashkohen krijues nga Kosova Lindore, Maqedonia, Shqipëria e Kosova. Poetët mblidhen aty, në fshatin Dunav, të Kishës Shën Ana, për të thyer heshtjen e një objekti, ku për dekada ishin kryer shërbesa fetare dhe humanitare./mediafokus.info/