Shkallë tronditëse e vdekjes së punonjësve shëndetësorë nga COVID-19

Organizata Amnesty International thotë se në të gjithë botën, të paktën 7.000 punonjës shëndetësorë kanë vdekur nga koronavirusi i ri.

Organizata thotë se ata që luftojnë me pandeminë në vijat e para të frontit kanë nevojë për qasje të duhur në pajisjet mbrojtëse.

“Çdo punonjës shëndetësor ka të drejtën të jetë i sigurt në punë dhe është një skandal që kaq shumë po paguajnë këtë çmim “, tha Steve Cockburn, shef për drejtësisë ekonomike dhe sociale në grupin e të drejtave me bazë në Londër.

“Shumë muaj në pandemi, punëtorët shëndetësorë ende po vdesin me ritme të tmerrshme në vende të tilla si Meksika, Brazili dhe SHBA-ja, ndërsa përhapja e shpejtë e infeksioneve në Afrikën e Jugut dhe Indi tregon nevojën që të gjitha shtetet të ndërmarrin veprime”, tha ai .

Të paktën 1.320 punonjës shëndetësorë kanë vdekur nga koronavirusi në Meksikë, më shumë se në çdo vend tjetër në botë.

Amnesty International gjithashtu regjistroi numër të lartë vdekjesh midis punonjësve shëndetësorë në vendet e tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara me 1.077 vdekje; Mbretëria e Bashkuar me 649; Brazili me 634; Rusia me 631; India me 573; Afrika e Jugut me 240; dhe Irani me 164.

Shtetet e Bashkuara, Brazili dhe India kanë regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve të përgjithshme dhe rasteve të të infektuarve me koronavirus.

“Më shumë se shtatë mijë njerëz të vdesin derisa përpiqen të shpëtojnë të tjerët, kjo është një krizë në një shkallë tronditëse”, tha Cockburn.

Organizata e të drejtave të njeriut tha se duhet të ketë bashkëpunim global për të siguruar që të gjithë punonjësit shëndetësorë, duke përfshirë pastruesit në objektet shëndetësore, të kenë pajisje të përshtatshme mbrojtëse./Rel/