Shkolla mes pandemisë, miliona nxënës rikthehen në banka

Një vit i ri shkollor, krejt i ndryshëm nga të tjerët, nisi mëngjesin e 1 shtatorit në shumë shtete europiane.

12.4 milionë nxënës në Francë iu kthyen bankave të shkollës pas pushimeve të gjata verore.

Presidenti Emmanuel Macron tha se sfidat janë të panumërta, por ai u bëri thirrje të gjithëve të tregojnë të njëjtën përgjegjësi si në muajt paraardhës.

Franca regjistroi 3082 raste të reja me koronavirus të hënën, një rënie e ndjeshme krahasuar me javën e kaluar kur pati deri mbi 5 mijë infektime ditore.

Italia nis të hënën me kurset e prapambetura, testi i parë pas izolimit. Por, prova e vërtetë do të jetë më 14 shtator kur do të bien zyrtarisht zilet në gati të gjitha shkollat.

Nxënësit do të qëndrojnë të paktën 1 metër larg njëri-tjetrit dhe do të mbajnë maskë nëse ruajtja e distancës nuk do të jetë e mundur.

Kapaciteti i transportit publik është rritur me 80 për qind për t’u mundësuar nxënësve rikthimin në shkolla.

Në Belgjikë, mbi 1.2 milionë nxënës iu rikthyen bankave, me rregulla që ndalojnë ndryshimet e klasave mes leksioneve dhe kërkojnë ajrosje të rregullt të ambienteve dhe mbajtjen e maskave edhe gjatë mësimit.

1 shtatori është tradicionalisht dita e parë e shkollës edhe në Rusi, e ky vit nuk bëri ndryshim. Por, festimet e përvitshme u shmangën, ndërsa numri i të infektuarve në vend ju afrua 1 milionëshit.

Gjithashtu, 1.4 milionë fëmijë në Wuhan, qyteti ku e pati origjinën koronavirusi, u rikthyen në shkolla e kopshte më 1 shtator.

Nxënësve atje u kontrollohet temperatura, ndërsa mbajtja e maskës nuk do të jetë e detyrueshme./A2CNN