Shpend Ahmeti: Covid-19 mund të ketë nisur më herët

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka thënë se ka mundësi që pandemia Covid-19 në Kosovë të ketë nisur shumë më herët sesa që mendohet, bazuar edhe në eksperiencën e vendeve të tjera në botë.

“Ne mendojmë sot që pandemia ka filluar në Kosovë në muajin mars. Nuk e dimë këtë. Franca ka menduar se rastin e parë e ka pasë më 28 janar. Një kolegjium i mjekëve ka vendosur të kthehet prapa dhe t’i marrë mostrat e atyre që kanë pasë ndezje të mushkërive ku edhe e kanë gjetur që rasti i parë në Francë është paraqitur më 27 dhjetor. Njëjtë ka ndodhur edhe në Amerikë. Nëse ka pasë raste në Amerikë, Francë, Gjermani dhe Zvicër, dyshoj që ne me gjithë këtë qarkullim me Europën dhe Amerikën nuk e kemi pasë”.

 

“Në Qendrat e Mjekësisë Familjare në muajt janar dhe shkurt kemi qenë të stërngarkuar dhe kemi qenë para kolapsit. Nuk e kemi ditur për pandeminë. I kemi pasë nga 50 pacientë në ditë në pothuajse secilën Qendër të Mjekësisë Familjare. Kemi pasë raste shumë të rënda me nga gjashtë ditë temperaturë. Kemi menduar që është gripi sezonal. Mund të ketë qenë, por nuk e dimë”.

 

“Nuk e dimë sa njerëz i kemi sot ose sa i kemi pasë në muajin mars – këto janë hamendësime që kemi konkluduar në bazë të testeve. Zero raste pozitive në Prishtinë në muajin mars nga ata që kemi testuar dhe ne kemi menduar që janë zero raste në Prishtinë. 80 për qind e rasteve janë asimptomatike, pra shumica nuk e kanë asnjë simptomë”.

Ahmeti në Rubikon të Klan Kosovës ka apeluar te qytetarët se duhet ta kenë parasysh që  me mbajtjen e maskës nuk e mbrojnë vetëm veten, por edhe të tjerët – pasi shumica e rasteve janë asimptomatike dhe mund ta transmetosh virusin pa e ditur se je i infektuar.

“Ti mund ta transmetosh te dikush që është i moshuar dhe ai po përfundon në Klinikën Infektive dhe po vdes. Maska nuk është vetëm ta mbrosh veten, por je duke e mbrojtur një shoqëri. Janë vdekje që nuk do të ndodhnin po të mos ishte virusi”.

“Naser Ramadani, drejtori i IKSHPK-së, në një takim me kryetarët e komunave thotë se në skenarin më të keq në Kosovë mund të vdesin 800-1600 persona. Dikujt mund t’i duket pak, por janë vdekje që nuk do të ndodhnin nëse nuk do ta kishim virusin. Është përqindje e vogël e njerëzve që mund të vdesin, por mirë do të ishte t’i shpëtojmë edhe këta njerëz”.