Shpirtin ia vranë në Kosovë, trupi i vdiq në Tetovë

Lufta e fundit në Kosovë (1999) la plagë të thella në familjet shqiptare, gjithandej vendit. Ata që i kanë humbur më të dashurit e tyre, ose që nuk ua kanë gjetur kurrë as eshtrat, vazhdojnë të jetojnë me shpresa të thyera prej kaq vitesh.

Viktimë e kësaj lufte ishte dhe lokja Ramize (Osman) Jahiu, 78-vjeçare nga Lladova. Fëmijëri e pleqëri, Ramizja i kaloi në luftëra, shkruan portali mediafokus.info.

Në moshën 15-vjeçare, mbetet pa prindër. Babai Osmani bie viktimë e regjimit të atëhershëm vrastar serb.

Burri i parë, Riza Miftari, në Pozheran të Vitisë, ishte plagosur rëndë dhe nuk i përballoi plagët. Me Rizën, Ramizja pati vetëm një vajzë, Sevdijen. Ajo detyrohet të rimartohet në Gjilan, për Miftar Pasjakun. Në këtë martesë të dytë, nuk pati asnjë fëmijë. Vajzën e vetme të saj, Sevdijen, e kishte lënë nën përkujdesjen e gjyshes dhe të vëllait Shaqir Jahiut në Lladovë.

Fati i saj është i dhimbshëm. Edhe pse u martua katër herë, kurrë nuk qe e lumtur me jetën martesore. Të gjithë burrat i vdiqën. Nga katër martesa ngeli me një vajzë.

Nga katër martesa, vetëm një fëmijë

Ramize Jahiu ishte një grua e urtë, e vyeshme dhe e dashur. I donte shumë fëmijët, por Zoti ia fali vetëm një vajzë, Sevdijen. E, Sevdia, shpresa e saj e vetme në jetë, një ditë të vitit 1995 i kishte thënë nënës se do të jetonte bashkë me ta, derisa të jetë gjallë. Familjarët rrëfejnë se nënë Ramizes i kishin rrëshqitur lotët fytyrës sikur një fëmije. Me siguri do të ketë ndjerë dhembje të madhe për vajzën dhe për veten e saj.

“Ani bija ime, vetëm ma bëjë hallall…”, i kishte thënë Ramizja. Nënë e bijë ishin shikuar në sy ndër vete, por nuk kishin mundur të nxjerrin më asnjë fjalë nga goja. Gjesti i dhëndrit Mejdi Kadriu ishte komentuar gjatë në Zhegër e Karadak.

Lufta (1999) e zuri Ramizen tek i vëllai Shaqir Jahiu. Më 27 mars 1999, natën e Bajramit të Vogël, forcat paramilitare serbe e granatuan fshatin Llashticë me të gjitha mjetet luftarake. Popullata iku në mal, për të shpëtuar. Vetëm të sëmurët mbetën nëpër shtëpia. Nga frika ikën në mal edhe disa familje nga Lladova. Disa të tjera u strehuan në Nasalë e Remnik. Edhe familja e Shaqirit iku në malet e Llashticës. E kishte më afër të strehohej.

Në këtë karvan vuajtjesh ishin bashkëngjitur edhe motra e tij, Ramizja 78-vjeçe, gruaja Fatimja dhe të tjerë. Më 13 prill, në mal vriten nga paramilitarët serbë: Ali Selimi, Enver Murseli, Lulzim Musliu, Habibe Ramushi, Rukije Ramushi, Sylejman Ibishi, Fatime Jahiu (gruaja e Shaqirit), Ymer Rashiti, Nezir Ramushi dhe të tjerë.

Varri numër 17

Ramizja plagoset rëndë në këmbë nga plumbat e paramilitarëve serbë. Ajo ndahet nga turma e njerëzve, sepse nuk kishte më fuqi që t`i ndiqte pas. E lodhur nga plagët, fshihet anash një rruge me drurë. Vëllai i saj, Shaqiri ka treguar më vonë se jo vetëm motrën, por edhe atij i kishin shkuar plumbat nëpër rroba. Ramizja mbetët gjysmë e gjallë e gjysmë e vdekur në mal. Thonë se policët e kishin gjetur të palëvizshme dhe e kishin marrë deri te rruga Ferizaj-Gjilan, afër fshatit serb, Budrigë.

Më 16 prill 1999 ishin dëbuar nga fshati edhe banorët e Malishevës, të cilët, përgjatë rrugëtimit të tyre e kishin gjetur Ramizen e plagosur dhe e kishin marrë me vete. Disa thonë se Ramizen e kanë parë në Sllatinë të Vitisë. Disa të tjerë shtojnë se e kanë bartur gjer në Jazhincë.

Tefik Selimi (tani i ndjerë) tregonte se në familjen Kadriu në Zhegër i kishin thënë se trupi i pajetë i Ramize Jahiut është gjetur në varrezat e Tetovës.

Bija e saj Sevdija, më 25 janar 2004, me parandjenjën se trupi i nënës së saj mund të jetë diku në Tetovë, merr rrugë për Maqedoni, së bashku me burrin Mejdiun dhe djalin Zijadinin.

Në Bashkësinë Islame të këtij qyteti, në një libër të evidencave për të vdekurit, e gjeti emrin e nënës. Ramizja ishte marrë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, si e plagosur në Kosovë, më 13 prill 1999, në Llashticë. Siç i kishin thënë aty, më 16 prill 1999, ishte shtruar në një spital të Tetovës, ku ka qëndruar gjer më 26 prill 1999, kur edhe ka vdekur. Varrimi ishte bërë nga Bashkësia Islame e Tetovës. Te varri i saj kishte një numër – 17.

Ky fakt, sado i dhimbshëm, i qetësoi sado pak familjarët, sepse të paktën tanbi e dinë varrin e Ramizes./mediafokus.info