Shqetësuese: Kosovarët po vdesin me Covid më shumë se gjithë të tjerët në botë

Kosovarët po vdesin me Covid më shumë se gjithë të tjerët në botë.

Kosova që dikur përmendej për shkallën e lartë të natalitetit, tani po prin me diçka tjetër, që është shumë e dhimbshme. Themeluesi dhe Drejtori i Institutit për Hulumtime “Scripps”, Eric Topol, njëherësh edhe profesor i mjekësisë molekulare, në llogarinë e tij zyrtare në Twitter ka publikuar një tabelë, ku janë paraqitur të dhënat për rastet e vdekjeve nga COVID-19 nëpër botë.

Sipas tabelës, Kosova renditet e para për raste të vdekjeve nga COVID-19 për 1 milion banorë, e ndjekur nga Peru, Bolivia, Meksika dhe Panamaja.

Kosova për numrin e vdekjeve në 1 milion banorë e ka lënë prapa edhe Amerikën e cila renditet në vendin e 9-të, shkruan njekomb.org

Në tabelën e publikuar nga profesori amerikan janë të dhënat deri në datën 11 gusht 2020.

Pavarësisht kësaj, numri i rasteve të vdekjeve nga COVID në Kosovë ka qenë i lartë edhe në të dhënat e publikuara nga IKSHP.

Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë kanë vdekur gjithsej 365 persona. Numri total i personave të infektuar është 10.795 nga 42.136 sa janë testuar.

Sipas të dhënave të IKSHP-së deri më 12 gusht, janë shëruar 6.411 persona derisa aktivë mbeten edhe 4.019.

Numri i personave të infektuar me COVID-19 dhe i rasteve të vdekjes është rritur ndjeshëm në Kosovë, pas vendimeve të institucioneve për heqjen e kufizimeve./mediafokus.info