Shqipëria sërish goditet nga tërmetet

Disa tërmete janë regjistruar gjatë natës në Shqipëri, ku më i madhi ka qenë me magnitudën 4.5 të shkallës rihter.

Sipas të dhënave të IGJEUM, lëkundjet e para kanë nisur rreth orës 23:09, për të vijuar me të tjera tërmete me shkallë fuqie të ndryshme.

Mësohet se tërmeti më i fortë është regjistruar në Cërrik, me magnitudë 4.5 të shkallës rihter, në orën 23:25, ndërsa përgjatë gjithë natës janë ndjerë lëkundje të vogla në Belsh dhe Fier.

Po ashtu mëngjesin e sotëm është ndjerë një tjetër lëkundje me magnituidë 3.3 të shkallës rihter në qarkun e Elbasanit.

Kujtojmë se Shqipëria gjatë vitit të kaluar u godit rëndë nga dy tërmete, ai i 21 shtatorit që shkaktoi dëme të mëdha materiale, si dhe ai i 26 nëntorit, që përveç dëmeve, shkaktoi edhe 51 viktima.
(BalkanWeb)