Shtatorja e vjetër nuk ka përfaqësuar dimensionin real të Agimit

Vendimmarrësit e Gjilanit, në seancën e fundit, ndër të tjera kanë miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për ngritjen e shtatores së heroit “Agim Ramadani”.

Isa Agushi (PDK) tha se grupi i tyre i këshilltarëve i jep qind për qind mbështetje kërkesës për ngritjen e shtatores së Agim Ramadanit, duke falënderuar investitorin, AR Katana për pjesën tjetër të punëve që ka kryer në këtë projekt, që është ndërmarrë nga Këshilli lokal i Zhegrës, vendlindjes së heroit.

Njësoj, kërkesa u përkrah edhe nga grupi i këshilltarëve të LDK-së, me ç`rast Shemsedin Elezi tha se shtatorja ekzistuese në sheshin e Gjilanit, nuk ka përfaqësuar plotësisht karakteristikat dhe dimensionin e real të Agim Ramadanit.

Bekim Bajrami, drejtor për Urbanizëm, sqaroi se bëhet fjalë për një marrëveshje ndërmjet Komunës, Këshillit Organizativ, OVL dhe Ministrisë së Mbrojtjes, për zhvendosjen e shtatores ekzistuese nga qyteti, në Zhegër dhe vendosjen e shtatores së re, në vend të saj, për çka Komuna është treguar e gatshme të participojë me 40 mijë euro.