Shtetësia e Kosovës po zhbëhet për shkak të stabilitetit rajonal, Serbia po joshet për shkak të interesave gjeopolitike

Nijazi Idrizi

“Rritja ekonomike krijon paqëndrueshmëri politike në mes të vendeve dhe regjioneve (forcimin ushtarak, intensifikimin e konflikteve për hegjemoni etj.”. (Ruchir Sharma, ekonomist i njohur amerikan)

Rrjedha e bisedimeve në Uashington, dëshmoi katërçipërisht se rrënimi i shtetit të Kosovës nuk mund të bëhet pa një akt koncenzual të themeluesve të tij, popullit të saj dhe shteteve demokratike të botës në krye me SHBA-së.

Atje, nuk u bë firmosja e copëtimit të saj nga presidentët Thaçi dhe Vuqiç, nën orkestrimin e emisarit skandaloz të presidentit Trump, Richard Grenell. Në moment të fundit, takimi u anulua, nga një goditje e papritur, me të cilën u dha mesazh i çart se ndarja e Kosovës mbi baza etnike nuk mund të bëhet.

Shantazhet e Vuqiçit mbi palën kosovare të ushtruara nga vitit 2011, nuk e konkretizuan idenë hegjemoniste të shndërruar në moto: “Serbia nuk mund ti humb të gjitha e Kosova ti fitoj të gjitha”.

Përpjekjet e fshehura serbe dhe të hapura shqiptare për ta larguar Brukselin nga ndërmjetësimi i bisedimeve, dolën të gabuara, sepse megjithatë u pa çart se BE nuk është aq larg SHBA, sa asaj t’ia zë vendin një aneks rus i Ballkanit.

Megjithatë më 4 shtator u nënshkrua marrëveshja e shumëpritur me një përmbajtje të re, jo nga dy, por nga tri palë (përfshi edhe Presidentin Trump). Në Kosovë dhe Serbi, po vazhdon debati i porositur dhe i paguar me fitues dhe humbës, për të përhapur mjegull.

Shteti i Kosovës ende nuk e ka bërë një analizë profesionale për të 16 pikat e saj (për ti gjetur anë e forta dhe të dobëta të saj).

Marrëveshja në përmbajtjen është e thjesht dhe e balancuar, por në nëntekstin e vet ka shumë të panjohura.

Nga leximi i kujdesshëm i saj mund të nxirren disa përfundime të cilat duhet të studiohen nga profesionistët të cilët duhet ti japin rekomandime vendimmarrjes së shtetit. Nga kjo marrëveshje mund të veçohen së paku tri aspekte:

1. Në marrëveshje duket çart angazhimi i SHBA për ridefinimin e politikave globale edhe në Ballkan dhe theksohet nevoja e pozicionimit të ri të shteteve konform ekuilibrave të rinj. Kjo më së miri duket në trajtimin që i bëhet monopoleve të tilla si: rrjetit kinez 5G, gazsjellësit rus, portit “kinez” të Selanikut etj.

Ndër të tjera edhe kjo marrëveshje synon prishjen e politikave tradicionale serbe: “Serbia në mes të lindjes dhe perëndimit”, (në të cilat binarë po mbahet peng edhe Kosova). Nga kjo politikë përfituese e madhe (nga të gjitha anët) është vetëm Serbia (në emër të joshjes), ndërsa humbësja e madhe në të gjitha drejtimet (në emër të stabilitetit rajonal), ka mbetur Kosova.

Me këtë marrëveshje, për herë të parë Serbia është sfiduar të drejtpeshohet në një ekuilibër të ri, për ti ndjekur shembujt e Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë, drejt integrimeve euroatlantike.

Për tu arritur kjo, ajo duhet ta kundërshtoj diktatin rus dhe bashkë me shtetin e pavarur të Kosovës, të pozicionohen tërësisht në tregun e konkurrencës së lirë, si hap i fundit i integrimit në BE dhe NATO.

Kjo duhet të bëhet përmes të ashtuquajturit mini-Shengen, ku tashmë janë anëtarësuar Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia, është zotuar Kosova dhe shpejt do të aderoj edhe Mali i Zi.

Kosova e ka parë me skepticizëm këtë organizim dhe ka refuzuar të jetë pjesë e tij nga frika reale e dominimit ekonomik të Serbisë mbi të, me arsyetimin se forcimi i saj tradicionalisht ka sjell konflikt.

Në afat të shkurtër Serbia si shtet më i konsoliduar, do të jetë përfituesi më i madh i favoreve që do ti krijoj ajo dhe shpejt do ta shndërroj atë në një superfuqi Ballkanike. Por në afat të gjatë, (kur të filloj sundimi i ligjit), këtë rol mund ta marr Shqipëria për shkak të favoreve gjeografike (detit), bashkë me Kosovën për shkak të pozicionit qendror në Ballkan (mundësisë së shndërrimit në intraport).

Përfitimi i dytë i Serbisë është kyçja në gazsjellësin e dytë i cili do ta konkurroj atë rus.

Ndërsa përfitimi i tretë do të jetë hekurudha dhe autostrada Nish – Durrës, i cili do ta lidh atë me detin Adriatik.

Nga kjo lidhje do të përfitojnë edhe Shqipëria, Kosova e Maqedonia, dy të parat, për më mirë do të lidhen përmes Nishit edhe me Detin e Zi.

2. Me këtë marrëveshje ndërpritet ideja e ndarjeve dhe krijimit të shteteve etnike. Ka fituar insistimi i BE-së për respektimin e parimeve bazë demokratike perëndimore, për integrimet e shteteve mbi bazën e qytetarisë. Nuk do të bëhet Serbia e madhe mbi parimin serb të spastrimit etnik të Bosnjë në territorin e Republika Serbskas dhe të veriut të Kosovës.

Në këtë drejtim, lexohet kërkesa e SHBA për heqjen e bandave serbo-shqiptare të krimit të organizuar nga veriu i Kosovës dhe vendosja e rendit kushtetues të Kosovës atje. Lexohet edhe kërkesa për jetësimin e ndarjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia, me gjetjen e një modeli të njohjes në Bruksel. Këtë më së miri e thotë epilogu i kësaj marrëveshje pika 16, ajo e njohjes nga Izraeli, e renditur pas asaj të moratoriumit.

Këtë e thotë edhe pika e studimit të fizibilitetit të Ujmanit e cila flet për zgjidhjen e një kontesti ndërshtetëror të përmbytjes së 2.7 km gjatësi të territorit të një shteti tjetër, i cili po kërkon kompensim, sipas ligjeve ndërkombëtare. Në të kundërtën, Kosova duhet ta ulë nivelin e liqenit deri në atë pikë sa të zbrazet ajo pjesë, me çka këtë kontest e bënë inekzistent.

3. Kjo marrëveshje e ngut trendin e rënies së klasës politike të kriminalizuar dhe korruptuar në këtë pjesë të Ballkanit. Ajo që ka filluar në Maqedoni me rënien e oligarkut Grujevski, do të përmbyllet me rënien dramatike të Vuqiçit në Serbi, aty ku ka filluar drama njerëzore e Ballkanit.

Dhe krejt për fund mund të konstatohen edhe dy fakte:

(a). Kthimi i SHBA në Ballkan u bë i domosdoshëm për shkak të indolencës së BE e cila e humbi aftësinë për zgjidhjen e problemeve të veta pas tronditjes financiare të vitit 2008, Breksitit dhe sidomos pas kontrollit të rajonit nga Rusia. Për këto arsye Kosova po rrezikohej drejtpërdrejt.

(b). Frika e Kosovës për të ardhmen është reale. Deri tashti ajo ka ecur e kapur për dore nga SHBA. Por tashti SHBA në mënyrë të prerë ia kanë bërë me dije, se ajo e do atë si të rritur dhe se nuk dëshiron ta mbajë më për dore, si një fëmijë të llastuar.