Shtohen edhe 8 raste të reja me COVID 19 në Kosovë

Sot me 25.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar tridhjetë e katër (34) mostra të marra të rasteve të hospitalizuara në Klinikën Infektive dhe nga terreni. Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, tetë (8) prej tyre kanë rezultuar pozitive.

Rastet e konfirmuara pozitive janë raste kontakti prej të cilëve 4 raste janë me vendbanim në fshatin Domanek- Malishevë, 3 raste me vendbanim në Prishtinë dhe 1 rast me vendbanim në fshatin Studime e ulët-Vushtrri.

Nga data 08.02.2020 deri me 25.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 766 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, gjithsej shtatëdhjetë e një (71) raste kanë rezultuar pozitive, me një (1) rast të vdekjes i një të moshuari 82 vjeç.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.