Shurra e lopës nuk e shëron virusin, është lajm i rrejshëm

Lajmet e rrejshme për mënyrat e shërimit të virusit Covid 19, kanë ndikuar që gjatë tre muajve të parë të këtij viti, të paktën 800 njerëz në të gjithë botën të vdesin nga përdorimi i gabuar i produkteve të ndryshme, deri te shurra e lopës.

Sipas rezultateve të një studimi të botuar në Gazetën Amerikane të Mjekësisë Tropikale dhe Higjienës, rreth 5.800 persona u shtruan në spital për shkak të besimit në informacionet e rreme në rrjetet sociale, raporton BBC, përcjellë express.

Shumë vdiqën pasi pinë pastrues me bazë metanol ose alkool, duke besuar gabimisht se këto produkte i mbronin ose shëronin coronavirusin

Organizata Botërore e Shëndetit ka paralajmëruar se epidemia e lajmeve të rreme ose “infodemia” e lidhur me COVID-19, po përhapet aq shpejt sa vetë virusi, dhe teoritë e komplotit, thashethemet dhe stigmatizimi në shoqërinë e të sëmurëve kanë kontribuar në vdekje dhe lëndime.

Shumë viktima ndiqnin këshilla që ngjasonin të besueshme – të tilla si konsumimi i sasive të mëdha të hudhrës dhe gëlltitja e sasive të mëdha të vitaminave si një mënyrë për të parandaluar infeksionin, thanë autorët e studimit. Të tjerët konsumonin pije si urina e lopës.

Një sjellje e tillë mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e këtyre njerëzve, kanë paralajmëruar shkencëtarët.

Shkencëtarët konkludojnë se i takon organeve ndërkombëtare, qeverive dhe rrjeteve sociale të luftojnë epideminë e informacioneve të rreme.

Ndryshe, kompanitë e teknologjisë që administrojnë rrjetet sociale janë kritikuar që reagojnë ngadalë dhe pamjaftueshëm ndaj problemit, dhe legjislaturat janë gjithashtu të ngadalta për të rregulluar përgjegjësinë për përhapjen e lajmeve të rreme.