Si duhet të sillemi me fëmijët që kanë probleme me alkoolin apo drogën?

Prindërit duhet t`i përcjellin me vëmendje fëmijët e tyre, veçmas në moshën e adoleshencës, – këshillojnë profesionistët e fushave të psikologjisë, sociologjisë dhe mjekësisë, duke u bazuar në kërkime të ndryshme studimore për të rinjtë. 

Mirishahe Limani Hiler 

Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës e përcakton moshën e fëmijërisë nga periudha e lindjes e deri në 18-vjeç, ndërsa adoleshencën, kjo konventë e përcakton si periudhë nga 10-19 vjet.

Cilat janë ndryshimet te fëmija që çdo prind duhet t’i marrë me më shumë seriozitet? 

Çdo adoleshent, gjatë formimit të identitetit të tij kalon nëpër etapa të ndryshme dhe i menaxhon ato sipas mënyrës së tij, duke qenë i lidhur ngushtë me faktorë të shumtë socio-edukativ që ndikojnë tek ai. Jo të gjithë adoleshentët kalojnë nëpër “kriza” që doemos janë negative. 

Nëse një adoleshent fillon papritmas të ketë probleme në shkollë, kjo është shenjë që çdo prind duhet patjetër ta marrë shumë seriozisht dhe të interesohet e t`i përkushtohet më shumë fëmijës së tij. Që nga ky moment, prindi duhet të interesohet dhe të kuptojë saktësisht se cilat janë marrëdhëniet e adoleshentit me mësuesit e tij, shoqërinë e tij, vëllezërit e motrat e tij dhe pse këto marrëdhënie janë përkeqësuar. Prindi duhet të përpiqet që të kuptojë se pse tani adoleshenti i tij ka një rreth të ri të shokëve dhe nuk duket më i interesuar për aktivitetet e lira që i donte aq shumë më parë, si sporti, muzika, teatri…

Kur një prind fillon t`i vërej këto ndryshme dhe dyshon në origjinën e tyre si dhe arsyet pse po ndodhin ato, një pyetje e tmerrshme kalon në mendjen e tij: “A mos adoleshenti im ka ndonjë problem me drogë apo alkool”?

Nëse përgjigjja është ajo që kurrë nuk e kishit menduar, se fëmija juaj mund të jetë njëri prej atyre që ka probleme me drogë, duhet në radhë të parë që të mos e paragjykoni. Çdo prind në këtë rast duhet të veprojë shpejt për ta ndihmuar fëmijën e tij, sa më mirë të jetë e mundur. Por, mos harroni, para çdo hap-veprimi që parashihni të bëni, së pari duhet të jeni i sigurt. 

Çka tjetër mund të ndihmojë prindërit që të sigurohen se vërtetë adoleshenti i tij ka probleme me drogë? 

Përveç problemeve në shkollë dhe marrëdhënieve me shoqërinë e familjen, adoleshentët që marrin drogë, mund të kenë reagime të tepërta emocionale. Këto reagime, të shumtën e rasteve, janë të shoqëruara nga momente nervozizmi, zemërimi dhe ndryshime në oraret e gjumit.

Tek disa adoleshentë mungesa e parave për të blerë drogë, i shtyn shpeshherë ata që të shesin gjëra të ndryshme nga shtëpia, gjoja për nevoja krejt normale, apo edhe i “vjedhin” ato dhe “marrin” para në kuletën e prindërve pa lejen e tyre. 

Që nga momenti që ju si prindër keni filluar të dyshoni, duhet patjetër të vëzhgoni nëse adoleshenti juaj ka ndryshime të rëndësishme në sjelljet e tij. Shenjat alarmuese mund të jenë edhe një mënyrë e re e veshjes. Adoleshenti juaj nuk vishet më si më parë, i ndërron papritur shokët, e ndryshon mënyrën e të ushqyerit. 

Edhe pse është shumë e vështirë për çdo prind situata kur të tjerët japin vërejtje negative për adoleshentin e tij, prindërit në këto raste duhet të detyrohen gjithashtu që të dëgjojnë mësuesit dhe miqtë. 

Ja edhe diçka jo shumë e vështirë që të siguroheni se a ka apo nuk ka adoleshenti juaj probleme me drogë. 

Nëse pas vëzhgimit të bërë, të gjitha sjelljet dhe ndryshimet që keni vërejtur tek adoleshenti juaj, jeni bindur se ai ka një problem, ju duhet të insistoni që ai të testohet nga mjeku.  Nëse ai refuzon të testohet te mjeku me iniciativën tuaj, kjo është shpeshherë një pranim i nënkuptuar i përdorimit të drogës.

Strategjitë janë jashtëzakonisht të ndryshme që çdo prind mund të përdorë për të ndihmuar adoleshentin e tij të heq qafe këtë shprehi të keqe, ose ta shmangë krejtësisht atë para se të fillojë.

Prindërit duhet të përballen me situatën kokë më kokë, pa lëshuar pe. Çdo njëri prej nesh duhet të jemi shumë të qartë dhe t’ia bëjmë me dije adoleshentit tonë se sjellja e tij është e papranueshme dhe shumë qartë duhet t`i tregojmë cilat janë pasojat. 

Po që se për disa prindër, njohja e problemeve të drogës është e kufizuar, është temë tabu, ata duhet të kërkojnë menjëherë ndërhyrjen e një profesionisti. Para se gjithash, të mos harrojmë se ky është një problem mjekësor dhe shpejt mund të filloni një konsultim me mjekun familjar, për të përcaktuar nëse ka probleme që lidhen me përdorimin e drogës. Nëse problemet e adoleshentit kanë të bëjnë me drogën, atëherë kërkoni pa humbur kohë këshillime së  pari me mjekun tuaj.

Nëse adoleshenti juaj nuk merr drogë, atëherë inkurajojeni atë dhe jepini përkrahje në forcim pozitiv. Prindërit duhet t’iu tregojnë fëmijëve të tyre që janë të lumtur dhe e respektojnë gjykimin e tyre të mirë. E kjo bëhet duke u dhënë fëmijëve adoleshentë më shumë privilegje dhe përgjegjësi.

Si të menaxhojnë prindërit veten e tyre në rast të problemeve me adoleshentin e tij? 

Shenjat e para të abuzimit me alkool dhe drogë nuk duhet të jenë shqetësim i tepërt për prindërit. Disa ekspertë të mjekësisë së përgjithshme dhe mjekësisë psikiatrike thonë se disa adoleshentë do ta provojnë marrjen e drogës apo alkoolit në një periudhë jashtëzakonisht të shkurtër dhe se këto eksperimente të izoluara, nuk duhet të shkaktojnë panik.

Cilat janë shenjat paralajmëruese që duhet t’i dijë çdo prind dhe të vëzhgojë para se të veprohet? 

Ju përkujtojmë të gjithë prindërve që të jenë më të kujdesshëm për adoleshentin e tyre në këto raste: te një rënie e papritur e notave ose një humbje e interesimit për aktivitetet shkollore, te një ndryshim i shpejt dhe i pa shpjegueshëm i rrethit të shokëve, te ndryshimet e papritura të humorit, të manifestuara veçanërisht me faza depresioni, zemërimi dhe agresioni, te shenjat fizike të varësisë ndaj alkoolit ose drogës. 

Çfarë duhet të bëjnë prindërit nëse dyshojnë tek më e keqja?

Së pari dhe më e rëndësishmja është që prindërit duhet të qëndrojnë të qetë dhe të kontrollojnë plotësisht emocionet e tyre. Në radhë të parë, nëse zbuloni se fëmija juaj adoleshent konsumon alkool ose merr drogë, duhet t`i sqaroni atij se kjo sjellje është e paligjshme dhe e rrezikshme dhe duhet të ndalet menjëherë. Nëse, edhe pas bisedës sqaruese që keni pasur me adoleshentin, konsumi i alkoolit dhe marrja e drogës nuk ndalen, atëherë mos humbni kohë, por kërkoni ndihmën e profesionistëve të mjekësisë. /MediaFokus/