Si e filloi javën e parë të punës Lutfi Haziri në vitin 2000?

Edhe Lutfi Haziri ishte arrestuar nga KFOR-i, në vitin 2000, kur si kryetar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, ishte solidarizuar me protestën e qytetarëve, të cilët po kërkonin lirimin e robërve të luftës si dhe të burgosurve politikë.

Protestat gjithë popullore paqësore për lirimin e robërve të luftës dhe të burgosurve politikë, ishin  mbajtur më 11, 13 dhe 14 nëntor të vitit 2000, shkruan mediafokus.info

Faktori ndërkombëtar, përmes policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it, ndërmori masa dhe insistoi në respektimin e Urdhëresës 2000/24 sa i përket tubimeve, përkundër sjelljes paqësore të qytetarëve.

Kuvendi Komunal e kishte vlerësuar asokohe të nxituar dhe të panevojshëm reagimin e trupave ndërkombëtare kundër protestuesve të qetë, vetëm për shkak se nuk kishin respektuar një urdhëresë për tubimet.

Sipas Kuvendit Komunal të atëhershëm, pati tejkalime në zbatimin e urdhëresës.

Protestuesit u rrahën, 24 prej tyre u arrestuan si dhe u ndalua kryetari i Kuvendit, Lutfi Haziri, i cili e pa të arsyeshme të solidarizohet me të arrestuarit.

Kuvendi kishte kërkuar informatë të hollësishme nga policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i për këto arrestime si dhe rishqyrtimin e Urdhëresës Komunale numër 2000/24, të nënshkruar nga administratori komunal Ivo Shanc. /mediafokus.info