Si i përshkruan infermierja pesë javët e përballjes me Covid-19?

Mexhide K. (50) nga Prishtina e kaloi sëmundjen Covid-19, që e shkakton koronavirusi, pothuajse pa simptome.

Ajo u infektua me koronavirus më 9 maj dhe ka qenë me të pesë javë, deri kur doli negative në testin e fundit. Shumicën e asaj kohe, ajo e ka kaluar në shtëpi dhe kryesisht ka qenë në gjendje të mirë.

“(Në fillim) Nuk kam pasur asnjë simptomë. Megjithëse u shtriva në Klinikën Infektive, por që nuk merrja terapi, pos paracetamollit dhe vitaminën C, që e pija në mbrëmje. Mjekët ma monitoronin gjendjen. Por, meqë isha mirë, më lëshuan në shtëpi pas një jave, duke më dërguar me autoambulancë deri në lagje’’, tha ajo për Radion Evropa e Lirë..

Mexhidja është infermiere e një spitali privat në Prishtinë. Virusin e ka marrë nga një kolege e saj e cila punonte me të në të njëjtin spital.

Ajo tregon se pasi kolegia e saj doli pozitiv me Covid-19, i cili stafi i spitalit u testua për koronavirus nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Ajo shton se u shtri në Klinikën Infektive për ta ruajtur familjen e saj, ndonëse me ta kishte pasur kontakte gjatë qëndrimit në shtëpi.

Pas lëshimit nga Klinika Infektive, institucionet përkatëse monitoruan gjendjen e Mexhides përmes telefonit.

“Kam pasur telefonata edhe nga Instituti Kombëtar, por edhe nga Komuna e Prishtinës. Nga Instituti janë kujdesur për gjendjen shëndetësore, nëse ndihesha mirë, derisa nga Komuna kam marrë pako me ndihma ushqimore dhe higjienike”, tha ajo.

Ndërkohë ajo shton se të vetmin simptomë e ka pasur humbjen e shijes, e që ka zgjatur vetëm një ditë.

“Një ditë kur fillova të ha drekë, më humbi shija, nuk e shijoja ushqimin. Më erdhi një ndjenjë e keqe, por qe kjo kaloi shumë shpejtë. Do të thotë, unë e kam kaluar gjithë sëmundjen Covid-19, me gjendje të mirë shëndetësore, vetëm se e dija që isha e infektuar”, tha ajo.