Si një euro, si një milion – barabar janë për nga qëllimi

Edhe të burgosurit politikë në Gjilan janë solidarizuar me dhembjen e banorëve të Shqipërisë, të cilët pësuan nga tërmeti. Secili prej tyre, sipas mundësive të veta, ndau mjete për ndihmë familjeve të prekura nga fatkeqësia e natyrës, e cila nuk kurseu as jetët e njerëzve.

Sabit Rexhepi thotë se humanizmi i ish të burgosurve politikë në Gjilan, nuk mund të mungojë në këtë rast. Secili në mënyrën e vetë ndihmoi me aq sa kishte mundësi. Secili në mënyrën e vetë ndau e dërgoi aq sa kishte mundësi, nga 5, 10 e deri në 430 ero.

Faik Junuzi, ish i burgosur politik dhe baba i dëshmorit të kombit Sherif Junuzi nga Breznica tha se posa ka dëgjuar për katastrofën natyrore në Durrës, nuk ka mundur të flejë nga vuajtja për vëllezërit atje.

“Në pamundësi që të bëj diçka më shumë, kam vendosur që për hir të birit tim dëshmor, i cili po të ishte gjallë do bënte edhe më shumë, ta ndajë pensionin prej 430 euro, të cilin e kam dërguar përmes Bankës Kombëtare, si ndihmë për vëllezërit në nevojë”.

Të burgosurit tjerë kanë ndihmuar secili sipas mundësisë që ka pasur, nga 5-10-50 euro.

Junuzi e vlerëson të barabartë kontributin e secilit, pavarësisht shumës. “Si ai që jep 5 euro, si ai që jep 1 milion euro, janë të barabarta, sepse ai që jep 5 euro, vetëm 5 euro të tjera ka ndalë për vete, kurse ai që jep 1 milion, prapë i ngelin në portofol 2 apo 3 milionë tjera”.

Pra, secili jep aq sa ka mundësi, sepse jemi vëllezër dhe duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin.

“Respekt për të gjithë ata që nga zemra kanë ndihmuar vëllezërit tanë në Durrës, qoftë vetëm edhe me një euro”, ka thënë Sabit Rexhepi.