S’ka gjendje të jashtëzakonshme, Hoti propozon masa rigoroze anti-COVID-19, ndërpriten ritet fetare

Kryeministri Avdullah Hoti, pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka thënë se janë diskutuar dy skenare, ai i zbatimit të masave rigoroze anti-COVID-19 dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, transmeton Mediafokus.info.

Hoti tha se pati pajtueshmëri për skenarin e parë. Ai ka njoftuar se do të ndërpriten të gjitha tubimet publike, ritet fetare dhe dasmat, duke shtuar se nuk do të ketë tolerancë ndaj atyre që nuk i respektojnë vendimet.

Ja deklarata në pika të shkurtëra e kryeministrit Hoti, të cilën ua përcjellë Mediafokus.info.

“Nga diskutimet e djeshme dhe të sotme lidhur me menaxhimin e situatës së pandemisë, sic e keni parë, gjendja po rëndohet, jemi gati në limitet e kapaciteteve spitalore. Jemi duke e bërë të pamundurën që të krijojmë kapacitete shtesë shëndetësore.  Shpreh keqardhje për familjet që kanë humbur të afërmit”.

“Në dy tri ditët e fundit kemi shqyrtuar dy skenare nga ekspertët. Skenari i parë që është zbatim shumë rigoroz dhe masa të reja anti-COVID-19 dhe skenari i dytë që është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ka një pajtueshmëri të përgjithshme që të marrim masa shtesë dhe rigoroze, por duke mos përjashtuar ndjekjen e procedurave në bazë të Kushtetutës për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Masat shtesë që do të propozohen sot, janë më shumë rigorozitet, pra janë të thjeshta, si maska, distanca e higjiena. Inspektorati sanitar dhe policia do të jetë gati dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj atyre që nuk i respektojnë masat. Është paparanueshme organizimi i dasmave nëpër komuna sepse ne rrezikojmë jetët tona”.

“Do ndërpriten të gjitha tubimet publike dhe ritet fetare deri në një situatë tjetër dhe kërkoj mirëkuptim nga krerët e insitucioneve fetare. Do të ketë strategji agresive mediale për t’i vetëdijësuar qytetarët sepse 30 për qind e qytetarëve nuk besojnë që COVID-19 është i vërtetë”

“Në javët e fundit kemi marrë numër të madh të masave, për të shtuar kapacitetet tona, të institucioneve shëndetësore, për t’u përgatitur për të ardhemn dhe për valën e dytë të vjeshtës”, ka thënë kryeministri Hoti.

Në takimin e sotëm kanë marrë pjesë edhe ministrat, Anton Quni, Agim Veliu e Armend Zemaj, sikurse edhe komandanti i FSL’së, gjeneral lejtnant Rrahman Rama./Mediafokus.info/