S’kalon ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë votuar në parim Projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të UÇK-së, pasi që në mungesë kuorumi kjo pikë e rendit të ditës kthehet prapa për votim në ndonjë rast tjetër.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani tha se në votim kanë marrë pjesë 36 deputetë, ku 35 deputetë votuan pro.

“35 vota për, një votë kundër dhe asnjë abstenim. Që do të thotë në total 36 deputetë kanë marrë pjesë në votim”, ka deklaruar Osmani.

Projektligji ka hasur në kritika të mëdha të faktorit ndërkombëtar, meqë sipas tyre kufizon lirinë e shprehjes.

Projektligji i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, parasheh përcaktimin e obligimit institucional dhe qytetar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.

Vlerë e luftës, sipas këtij projektligji, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK, vetë UÇK-ja si formacion ushtarak i armatosur, veterani i UÇK-së, flamuri, betimi i ushtarit, stema, Shtabi i Përgjithshëm, Drejtoria Politike, Shtabet e zonave operative, arkiva, si dhe Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe komplekset tjera.

Projektligji parasheh respektimin e vlerave të luftës, mbrojtje institucionale, Muzeun e Luftës, Ditën e përkujtimit të luftës për çlirim, dispozitat ndëshkimore, si dhe aktet nënligjore.

Në rast se projektligji aktual për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së miratohet në Kuvendin e Kosovë, si ligj do të ketë implikimet buxhetore prej 2 milionë e 250 mijë euro, pa i llogaritur edhe investimet për ndërtimin e Muzeut të Luftës.

Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, është propozuar nga PDK, fillimisht në prill 2018, ndërkaq në tetor të po atij viti ishte shqyrtuar në parim nga Komisioni i njëjtë funksional.

Por, sipas zyrtarëve të PDK-së, procedimi i mëtejmë i këtij projektligji kishte ngecur për shkak të ndryshimeve në udhëheqjen e ekzekutivit të vendit, gjatë vitit 2019. Më 30 prill 2020, Partia Demokratike e Kosovës, sërish i ka propozuar Kuvendit të Kosovës të njëjtin projektligj, pa ndonjë ndryshim në përmbajtje.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett ka thënë se ky ligj, pa marrë parasysh qëllimet e tij, nuk është në përputhje me zotimin për liritë themelore që janë në thelb të Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, miratimi i ligjit, në formën e tanishme, do të dobësonte demokracinë e Kosovës.

E kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se ambasadori Kosnett ka pasur vërejtje në dy nenet e këtij ligji dhe jo si tërësi.

Neni i pestë i ligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës parasheh që çdo zyrtar publik dhe qytetar i Kosovës detyrohet t’i respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me ligj në çdo kohë dhe rrethanë brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa, neni i nëntë parasheh që shkelja e dispozitave të këtij ligji sanksionohen sipas legjislacionit në fuqi.