S’kam ardhë unë k’tu, me idhnue çikën teme

Sabit Rrustemi

Masi patum ra n’Zhegër, ke kysmet e u bamë miq me Daut Kravaricën. Mik pa hile, qi s’i gjinet shoqi as sod, anise bukur moti ka shku n’atë dynja.

Naj pat dhanë çikën për Halilin, si burrat, me nji llaf goje, pa e lut gati hiç… e pa qit shumë kajde. “Si t’u m’kish kabull per mik, ja pashë hajrin çikes teme”. E qysh m’i thanë jo, atij burri ?

Vijke n’dy – tre mujë, bujke nji natë, na k’naqke llaf e muhabet, edhe shkojke.

Sefte kur pat ardhë, hala pa u njoftë si duhet e pa u shlirue ner veti sa duhet, djali jonë, Halili, nalet me fjetë me ta, mos me lanë vetë, se ashtu u kanë reni.

E sheh Dauti, qi skunë tjertë tuj i thanë secili, “natën e mirë”, e ky, dhanri i tij, hiç s’p’e ban llaf m’u qu e me shku te nusja, n’sobë t’vet.

Bile, çika e tij erdh e jav shtroj venat, te dyve. Dauti niher s’foli. U que, u ba gati e ra per veti. Kur po do me ra n’shtratin tjetër, Halili, i kthehet:

– Shka je kah ban, a k’tu do me fjetë, ti a ?

– Po babgjysh, k’tu valla, se reni qashtu…

Dauti,ja nis e po kesh pak si ner veti. Pa e rritë shumë zanin, i kthehet:

– Jo tybe, ti me fjetë k’tu, hiç jo… po qu e shko n’sobë tane, e mos m’le pa kaftjall, se unë s’tutna, flej edhe pa ty.

Djali s’un ka ba ma fjalë, u que, e ka shku n’sobë t’vet.

Masanej, i thojsha Dautit, se e kishim pa teklif:

– Qysh bre Daut, me ngushtue, ashtu djalin, allahile …

– Hajt mos u ban qaq marak , se s’kam ardhë unë k’tu me idhnue çiken teme.

Edhe qeshtu naj prishi ni ren t’moçëm Dauti, me nji llaf goje…

/MediaFokus/