Solisti Avdi Latifi rikujton të birin, i cili humbi jetën në përpjekje për ta shpëtuar një grua

Solisti Avdi Latifi ka rikujtuar sot të birin Fatbardhin, i cili në këtë ditë, para tetë vitesh, humbi jetën në ujërat amerikane, duke u përpjekur që ta shpëtonte një grua.

‘Sot 8 vjet pa ty djali im Fatbardh. Gëzimi im i parë, shkove në botën e amshueshme në moshën më të mirë… Mua, familjes dhe miqve, dhembja dhe malli nuk na hiqet. Të kujtojmë me krenari për jetë të jetëve. U prehsh në paqe engjëlli ynë lart në qiell’, ka shkruar babai Avdi Latifi.

Më 2 shtator të vitit 2012, shtetasi kosovar, Fatbardh Latifi kishte humbur jetën në ujërat e një lumi në SHBA, shkruan mediafokus.info.

Ai kishte kërcyer nga barka, së bashku me disa shokë të tij, për të ndihmuar një grua, e cila kishte probleme, por nuk doli më në sipërfaqe të ujit.

Trupi i tij ishte gjetur më vonë, disa metra larg vendit ku ishte hedhur në ujë, ndërsa mjeku kishte konstatuar vdekjen.

Lajmi për vdekjen tragjike të kosovarit nga Zhegra e Gjilanit, Bardh Latifi kishte shkaktuar dhembje te familjarët dhe miqtë e tij gjithandej.

Fatbardhi 33-vjeçar, i cili i përkiste një familje muziktarësh, ishte një maestro i violinës.

Po të ishte gjallë, sot Bardhi do të ishte një emër botëror në violinë./mediafokus.info