Statistikat e policisë për rajonin e Gjilanit, 5-11 gusht 2020

Sipas statistikave të policisë, në periudhën kohore nga data 5-11 gusht 2020, në rajonin e Gjilanit kanë ndodhur 38 incidente, 22 persona janë arrestuar dhe ndalur. Gjatë kësaj periudhe, po ashtu janë regjistruar 8 aksidente trafiku me lëndime, 10 aksidente me dëme materiale, derisa policia ka shqiptuar 612 gjoba (tiketa), ka thënë zëdhënësi Ismet Hashani.

“Dhunë familjare”

Me 9 gusht 2020, rreth orës 11:00 Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar një informatë për një rast “Dhunë familjare” në fshatin Pogragjë, komuna Gjilan. Njësitet sektoriale kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se i dyshuari, shqiptar, shtetas i Kosovës, pas një mosmarrëveshje verbale me bashkëshorten dhe djalin e tij, i ka sulmuar ata fizikisht duke iu shkaktuar lëndime trupore. Të dy viktimat deklarohen se ndjehen te rrezikuar nga i dyshuari pasi që nuk ishte hera e pare që ushtronte dhunë psikike dhe fizike ndaj tyre. I dyshuari intervistohet në prani te avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit ndalohet për 48 orë në mbajtje. Rasti procedohet në PTh.

“Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”

Me 8 gusht 2020, rreth orës 20:37, Policia e Kosovës ka pranuar një informatë se në fshatin Radivojc, komuna Viti, janë duke u luajtur lojëra te fatit. Patrullat policore menjëherë kanë kontrolluar lokalin, ku janë takuar rreth shtatë (7) persona brenda lokalit. Ne vendin e ngjarjes janë konfiskuar një shtëpizë kompjuteri dhe një printer për shtypjen e tiketave si dhe njëzet e pesë (25) euro para. I dyshuari, pronari i lokalit, është intervistuar në prezence të avokatit mbrojtës dhe me urdhër te prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë. Rasti procedohet në PTh.

“Ngacmim”

Ankuesi (pjesëtar i PK) ka raportuar se përmes rrjeteve sociale është ngacmuar nga personi i dyshuar, shqiptar, shtetas i Kosovës, i cili e poston një foto te ankuesit në murin e rrjetit të vet “facebook” dhe më pas fillojnë komentet e ndryshme me motive të ulëta, kërcënime dhe fyerje nga ana e tij dhe shokëve te tij, ndaj ankuesit. I dyshimti është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është sjellë në lokalet e policisë dhe gjatë intervistimit në prani të mbrojtësit ligjor, janë gjetë prova të besueshme se ai është i involvuar në këtë vepër. Motivet e këtij rasti besohet të jenë në shenjë revolte dhe hakmarrjeje ndaj policit, pasi që me 24.07. 2020, nga ana e policisë ishte arrestuar djali i tij lidhur me një rast “Sulm ndaj personit zyrtar”. Me vendim te prokurorit, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit për 48 ore. Rasti procedohet në PTh. /mediafokus.info