Studenti që la histori prapa në çdo hap që bëri

Në lagjen “Tog Bashqe” në Prishtinë, rruga ku dikur banonte studenti Tefik Zymberi, tani hero i kombit, mban emrin e tij.

Për atdhetarët, për patriotët, veprimtaria nuk ka filluar në vitin 1997-98-99. Ata që e kanë dashur Kosovën të lirë, ka pasur hapësirë në çdo kohë të tregojë veten. Kështu ishte me shumë atdhetarë që sot janë dëshmorë, të cilët kanë rënë në altarin e lirisë në periudha të ndryshme kohore, e posaçërisht në luftën e fundit në Kosovë.

Lufta në mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ushtrisë e policisë së Millosheviqit dha shumë dëshmorë të lirisë, në mesin e këtyre është edhe Tefik Zymberi.

Sot, në shenjë nderimi për të, në komunën e Gjilanit rrugë sheshe, shkolla etj. kanë marrë emrin e tij sikurse edhe janë ngritur edhe buste. Por, përmasat e nderimit nuk janë kufizuar vetëm në komunën e Gjilanit, por edhe në komunat tjera, sikurse është Prishtina.

Këtë po e themë pasi në lagjen e “Tog Bashqes” në Prishtinë, përkatësisht një rrugë në këtë lagje është emëruar me emrin e heroit të kombit Tefik Zymberi. Ky emërtim i kësaj është bërë, pikërisht në vendin, ku ka banuar Tefik Zymberi gjatë studimeve në Prishtinë, përkatësisht në shtëpinë e Raif Toskut.

Dhe është për lëvdatë që janë kujtuar për këtë, ngase edhe në këtë kohë (pra sa ishte student në Prishtinë), ai kishte zhvilluar aktivitete atdhetare. Në atë banesë me të banonin Halil Tosku nga Hodonoci e Shkëlzen Shabani nga Përlepnica.

Aty pothuajse për çdo natë takoheshin edhe shokë tjerë si: Mefail Sadiku nga Hodonoci, Gani Shala nga Topanica, Ismet Tafili nga Priboci (komuna e Bujanocit), Mejdi Dalloshi- dëshmorë i UÇK-së dhe vllai i tij (nuk më kujtohet emri) nga Kaçaniku, Atifete e Fatime Dalloshi, Nezir Neziri, Sherif Ramabaja nga Dardana, Ramush Elezi nga Presheva, Muhamer Shabani, Sylejmani nga Përlepnica, Bajram Zymberi e shumë shokë nga të gjitha komunat e Kosovës, (kërkojë falje se nuk mund t’i kujtojë të gjithë emrat e atyre studentëve veprimtarë të kohës, sepse ishin shumë).

Tefiku me sjelljen e tij, me buzëqeshjen e tij, me atë urtësinë e tij, me atdhetarizmin e tij e me mikpritjen e tij që të bënte kur shkoje në banesë tek ai, krijoi një rreth të gjërë shokësh nga të gjitha hapësirat shqiptare të ish Jugosllavisë.

Shpirti i tij i bardhë, i çiltër të bënte menjëherë për vete. Këto dhe virtyte tjera përtej njerëzore e bënte at të dashur dhe kishe dëshirë që të rrije më të e kurrë të mos mërziteshe.

Kur shkoje aty, ai të rrinte në këmbë, ishte në gjendje tërë natën të rrinte zgjuar vetëm ti të rehatoheshe e të flije qetë. Dhe për shkak se aty shkonin për çdo natë shumë studentë – shokë, ai shpesh natën e bënte ditë.

Tefiku luante mirë edhe me qifteli, por edhe këndonte. Edhe kjo ishte një arsye që kjo banesë në këtë rrugë, që mban sot emrin e heroit Tefik Zymberit, ishte gjithëherë plot.

Pra, kjo banesë ishte bërë çerdhe-takimi i shumë atdhetarëve, që më vonë u bënë pjesë të burgut serbosllav, u bënë pjesë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikurse edhe ranë dëshmorë.

Kjo tabelë me emrin e heroit të kombit Tefik Zymberi më ngjalli emocion, mallëngjim për kohën sa ishim studentë, por edhe krenari për punën, sakrificën e në fund rënien në altarin e lirisë./Ismet Tafili/