Sulmuesi në Londër ishte një ish i burgosur

Autori i sulmit të së premtes në Londër ishte një ish i burgosur i liruar me kusht, pas një dënimi për terrorizëm. Personi që vrau dy veta të premten në London Bridge, para se të asgjësohej nga policia, ishte një i burgosur 28-vjeçar, i dënuar për terrorizëm, njoftoi të shtunën kreu i anti-terrorizmit britanik, Neil Basu, njofton “Tribune de Genève”.

“Ky person ishte i njohur për autoritetet, pasi ishte dënuar në vitin 2012 për vepra terroriste.  Ai u la i lirë me kusht në dhjetor të vitit 2018, ” tha shefi i policisë, në një deklaratë, duke shtuar se ishte duke u bërë një kontroll në një vend në Staffordshire County, në Angli qendrore ku ai banonte.

Sipas agjencisë së lajmeve PA, ai u dënua me 16 vjet burg për përkatësinë e një grupi që dëshironte të kryente një sulm me bomba në Bursën e Londrës dhe të ngrinte një kamp  trajnimi terrorist në Pakistan.

Para fillimit të një takimi të Komitetit të Krizave të qeverisë “Cobra” në mbrëmje, kryeministri Boris Johnson tha se kam theksuar edhe kohë më parë se “është një gabim të lejosh kriminelët e dhunshëm të dalin nga burgu, nën masën e “lirisë së parakohshme”.

Në këtë fatkeqësi, tre persona, një burrë dhe dy gra, u plagosën. Njëri person ishte të premten në mbrëmje në një gjendje “kritike, por të qëndrueshme”, një tjetër në “një gjendje të qëndrueshme” dhe një i tretë pësoi “lëndime më pak të rënda”, tha kreu i Shërbimit Publik të Shëndetit Publik (NHS),  Simon Stiveni.

“Ne jemi ende në një fazë të hershme të hetimit, por tani nuk jemi duke kërkuar në mënyrë aktive askënd tjetër që lidhet me këtë sulm”, tha Neil Basu, duke bërë thirrje, megjithatë, që publiku të mbetet “vigjilent”  dhe po ashtu “të vazhdojë të shmangë” zonën ku ka shumë zyra dhe vende të daljes, të cilat do të qëndrojnë të rrethuara për “një kohë të caktuar”, shkruan e përditshmja e Zvicrës “Tribune de Genève”.