Supremja e kthen në rigjykim Agim Ademin e FFK-së

Gjykata Supreme e Kosovës ka kthyer në rigjykim rastin e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, i cili ishte dënuar me nëntë muaj burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në vitin 2019, për veprën penale “detyrim në tentativë”.

Korrik të vitit 2019 Ademi u dënua më nëntë muaj burgim për një vepër penale nga viti 2012 që nuk kishte ndërlidhje me futboll dhe vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës u mbajt në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit në shkurt të këtij viti, pas ankesës së Ademit, raporton Express.

Por Gjykata Supreme ka vendosur ta shpallë të pavlefshëm dënimin e tij dhe ta kthejë tërë lëndën në aktgjykim.

 “Kolegji i Gjykatës Supreme, në çështjen penale të të dënuarve A.A., dhe M.R., për shkak të veprës penale detyrimi në tentativë, ka aprovuar si të bazuara kërkesat e tyre për mbrojtje të ligjshmërisë dhe çështjen e ka kthyer për rigjykim, në shkallë të parë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.