Suspendohen tre policë, nuk reaguan për një dasmë në Podujevë

Tre zyrtarë policorë të stacionit policor të Podujevës janë suspenduar mbrëmë për shkak të dyshimit se nuk kanë përmbushur detyrën zyrtare me rastin e ndërhyrjes në një aheng familjar-dasmë, i cili mbahej në një restorant duke shpërfillur vendimin e qeverisë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Inspektoratit Policor, Arbër Beka.

“Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë (09 Gusht 2020), gjatë realizimit të Planit Operativ “Monitorimi i respektimit të vendimeve mbi zbatimin e masave parandaluese kundër përhapjes së Covid-19″, ka hasur në mos zbatim të Vendimit të Qeverise së Republikës së Kosovës për masat ndaj Covid-19 nga tre zyrtarë policorë në Podujevë”, ka deklaruar Beka.

Beka ka thënë se krahas kësaj të njëjtit dyshohen edhe për mos zbatimin e Urdhrit Operativ të policisë për gatishmëri dhe reagim për Covid-19.

“Krahas kësaj të njëjtit dyshohen edhe për mos zbatimin e Urdhrit Operativ të policisë për gatishmëri dhe reagim për Covid-19. duke mos reaguar në një informatë që kishin pranuar për mbajtjen e një ahengu familjar (dasmë) në komunën e Podujevës. Si pjesë e procedurave administrative hetimore të njëjtit janë suspenduar me rekomandim të IPK-së”, ka përfunduar Beka.