Takimi Hoti-Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë shtyhet për 4 shtator

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 4 shtator në Uashington, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga administrata amerikane.

Takimi, që fillimisht u caktua për 2 shtator, është shtyrë për 4 shtator, tha zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Ullyot.

“Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në Uashington më 4 shtator. Bisedimet janë shtyrë për dy ditë, nga 2 shtatori kur ishin paraparë që të mbaheshin, për arsye të planifikimit”, thuhet në përgjigje.

Ullyot thotë se Uashingtoni mirëpret bisedimet e 4 shtatorit, të cilat, sipas tij, do të kenë në fokus çështjet ekonomike.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin këto bisedime të rëndësishme ndërmjet kryeministrit (të Kosovës, Avdullah) Hoti dhe presidentit (të Serbisë, Aleksandar) Vuçiq. Ne besojmë në përparim në çështjet ekonomike, përfshirë krijimin e vendeve të punës dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike, si hap i parë drejt përparimin në procesin e paqes”, tha ai.

Më herët nga administrata amerikane kanë konfirmuar për REL se nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për dialogun, Richard Grenell.