Thaçi: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë është hapi më serioz amerikan në Ballkanin Perëndimor

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbajtur konferencë për media, ku ka komentuar marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë, duke nënvizuar se deri te ky moment është arritur pas një pune të gjatë dyvjeçare. 

Thaçi tha se në të gjithë takimet që ka pasur me Presidentin amerikan, Donald Trump, ai i ka folur për vlerësimet që ka për Kosovën.

“Në të gjitha takimet që kam zhvilluar me Presidentin Trump, më ka folur për Kosovën si një vend të mrekullueshëm”.

Presidenti foli edhe për kontributin personal dhe të përbashkët për të arritur deri te kjo ditë.

“Ndihem i lumtur dhe krenar që pas përpjekjeve dhe punës së përbashkët për dy vjet, të premten e kaluar arritëm që në Shtëpinë e Bardhë të formalizohen këto marrëveshje”

Thaçi, marrëveshjet e nënshkruara të premten, i ka quajtur si hapin më serioz të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor.

“Hasëm në vështirësi, pengesa, konspiracioni nga shumë anë. Me formalizimin e marrëveshjes, u konfirmuar se ato kanë qenë të rrejshme dhe paragjykuese”.

Duke aluduar te disa komente të mëhershme të ish-kryeministrit Albin Kurti, për rrezikun që përmab marrëveshja në Washington, Thaçi ka thënë se në Shtëpinë e Bardhë nuk pati thika e as harta, prandaj dikush duhet të kërkojë falje për konspiracion dhe teori të rrejshme.

Sipas presidentit, po të ishte më e bashkuar skena politike e vendit, do të arriheshin shumë më herët marrëveshjet që janë në dobi të Kosovës.

“Sikur të ishim më unike në dy tri vitet e fundit, marrëveshja do të ishte më e qëndrueshme, dhe nuk do t’i humbnim ato vite që i kemi humbur me konspiracione, paragjykime, gënjeshtra”, ka thënë Thaçi.

“Ne mund të ecim përpara me filozofi politike shtetformuese, e jo me mentalilet tribal”, ka shtuar ai.