Totaj: Ekzistojnë mundësi serioze që vendi të mbetet pa qeveri në ditët në vijim

Shaqir Totaj, nënkryetar i PDK-së, sheh mundësi serioze që vendi të mbetet pa qeveri në ditët në vijim.

Prej se erdhi në detyre kryeministri Kurti, në angazhimin e tij nuk tregoi konstruktivitet dhe qasje proaktive, por sjellja e tij më shumë ishte e motivuar nga ndjenja e rivalitetit e revanshizmit dhe tentimi për të marrë primatin në çdo gjë që pritet të zhvillohet në Kosovë, duke tentuar kështu që të lë anash pothuajse çdo akter tjetër relevant të jetës politike në Kosovë, ka thënë Totaj, në një intervistë për qendrapress.com

Si pasojë e kësaj mënyre të sjelljes dhe mosgatishmërisë së kryeministrit për t`u marrë me sfida serioze që na presin në një të ardhme të afërt e që kanë të bëjnë me përmbylljen e dialogut dhe kompletimin e shtetësisë së Kosovës, tashme është mundësia serioze që të mbetemi pa qeveri në ditët në vijim.

Kryeministri Kurti e shkaktoi vetë gjendjen në të cilën ndodhemi dhe tani po mundohet te kthej në favor të tij duke tentuar të paraqitet si viktimë.

Duhet pasur parasysh se prioritet absolut në këto rrethana do të duhej të ishte mbrojtja e shëndetit publik.

Edhe sjellja e të gjithë akterëve të jetës publike do të duhej të ishte konform këtij prioriteti.

Nëse vjen deri te votimi i mocionit dhe eventualisht mbetemi pa qeveri, atëherë gjendja aktuale nuk lejon të mendojmë për zgjedhje të parakohshme për arsye evidente,

Në këto rrethana mbetet mundësia që të kemi qeveri kalimtare me bazë të gjerë e cila do te qeveriste vendin deri në zgjedhjet e ardhshme kurdo që të mbahen ato, ose si opsion i fundit ndoshta qeveri teknike, ka thënë Totaj për qendrapress.com./mediafokus.info