Tragjedia që e përgjaku 7 Marsin

Ishin bërë të gjitha përgatitjet për kremtimin e 7 Marsit, ditës së mësuesit, nga ana e autoriteteve të Komunës së Gjilanit.

Por, që të gjitha u anuluan pasi një kamion me targa të Pejës, saktësisht në orën 14:05, shkaktoi aksident të tmerrshëm në qendër të Gjilanit, duke goditur disa vetura, si pasojë e mosfunksionimi të sistemit të frenave, transmeton Mediafokus.info.

Në vend vdiq afaristi i njohur, Qerim Çoçaj, pak pas ditësh vdiq e moshuara F.I., dhjetëra persona u lënduan, derisa pati edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Menjëherë kishte dalë në vendin e ngjarjes kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili tragjedinë e kishte vlerësuar si pasdite horrori.

“Ka qenë një pasdite horrori që ka ndodhur sot në Gjilan. Fatkeqësisht, një bashkëqytetar i yni Qerim Çoçaj ka humbur jetën, dy qytetarë janë në gjendje emergjente dhe po trajtohen në QKUK, ndërkaq 12 të tjerë po trajtohen në Spitalin Regjional. Lutemi që ta përballojmë sa më lehtë këtë gjendje të gjithë. Ne do të jemi pranë familjeve të të lënduarve, e në veçanti të familjes Çoçaj”, ka thënë Haziri, menjëherë pas tragjedisë.

Familja Çoçaj menjëherë reagoi, duke ia falë gjakun familjes së shoferit pas dy javësh, derisa kjo ngjarje tepër emocionale u ndërmjetësua i pari i gjilanasëve, Lutfi Haziri.

Shoferi i kamionit u ndalua në mbajtje, sikur edhe pronari i kompanisë.

U mbajtën disa seanca gjyqësore dhe para një muaji, Gjykata Themelore e Gjilanit dënoi me katër vite e tetë muaj burg shoferi i automjetit, Mustafë Avdiaj, ndërsa me dy vite e tetë muaj burg është dënuar pronari i kompanisë “Uji i Pejës”, Vigan Tigani.

Raportimet për këtë ngjarje qenë të ngutshme e shpeshherë joprofesionale. Disa media nxituan të konstatonin se bëhet fjalë për akt terrorist, por që këtë e demantoi shpejtë prokuroria dhe policia e shtetit.

Tragjedia që e përgjaku 7 Marsin 2019, vlerësohet si rast i paprecedentë në Kosovë. /Mediafokus.info/