Tragjike: Mbyten në det në Durrës babë e bijë, stafi mjekësor shpërthen në lot

Thellohet tragjedia në plazhin e Rushkullit të Durrësit. Pas lajmit se u mbyt në det shtetasi DH.B., 44-vjeç, teksa ishte futur për t’u larë me vajzën e tij, ka ndërruar jetë në spital edhe vajza 9-vjeçe.

Nuk dihet nëse të dy janë futur për t’u larë, apo i ati në tentativë për të shpëtuar vajzën është mbytur vetë fillimisht.

Paraprakisht raportohet versioni i dytë, teksa vajza doli në breg në gjendje të rëndë.

Një mjek në detyrë i spitalit të Durrësit konfirmoi se vogëlushja pavarësisht ndihmës dhe përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, ndërroi jetë.

Ajo është dërguar për në morg, teksa stafi mjekësor është tmerruar nga kjo tragjedi dhe ka shpërthyer në lot.

Lajmin e konfirmon dhe policia e shtetit me anë të një njoftimi për mediat, transmeton NOA.

“Në lidhje me informacionin e më sipërm ku humbi jetën duke u larë në det shtetasi Dh.B., 44 vjeç, ju bëjmë me dije se ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Durrës edhe shtetësja e mitur M.B., 9 vjeçe”.