Tre vëllezërit Ymeri vdesin nga COVID-19 brenda një muaji

Sëmundja COVID-19 ka shkaktuar dhimbje të madhe në familjen Ymeri, ku brenda një muaji tre anëtarë të kësaj familje e kanë humbur betejën me virusin.

Tre vëllezërit Ferat, Murat dhe Berat Ymeri kanë vdekur brenda një muaji, pasi nuk kanë arritur ta përballojnë infektimin me coronavirus.

Lajmin për ndarjen nga jeta të tre vëllezërve e ka dhënë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i cili vëllezërit e ndjerë i kishte familjarë.

“Tre vëllezër, kushëri të babit, të cilët virusi i mori brenda një muaji. Tre njerëz të urtë e punëtorë, ashtu siç përshkruhen nga secili që i ka njohur.

Virusi tashmë është kthyer në tragjedi për shumë familje. Sepse viktimat nuk janë vetëm statistika, por janë persona me emër e mbiemër, familjarë e prindër të dikujt.

Fjalët ngushëlluese në një tragjedi të tillë e humbin efektin. Krejt çka mund të bëjmë është të lutemi që familjet të gjejnë forcën për ta përballuar këtë situatë, me shpresën që do të vazhdojnë t’i kujtojnë veprat e mira të më të dashurve të tyre.

Pushoni të qetë kusho”, ka shkruar Murati.