UBT-së i pezullohet leja për testime molekulare, nuk i plotëson kushtet

Në gusht të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë ka licensuar disa laboratorë privatë për të kryer testime serologjike dhe molekulare me metodën PCR në Kosovë. Por, disa nga ta nuk e kanë kryer punën siç duhet. Ka pasur të tillë që pa licencë kanë punuar. Shteti të njejtit i ka dënuar me gjoba që arrijnë shumën deri në 4 mijë euro.

Laboratorët e licensuar atë kohë me metodën PCR kanë qenë Medical & Laboratory Services ne Ulpianë ( Prishtinë) dhe laboratori UBT në Lipjan.

Por, vetëm njëri nga ta sot kryen testime me metodën PCR. Bëhet fjalë për laboratorin i cili dyshohet se është i vajzës së Blerim Devollit, “Medical & Laboratory Service”, shkruan Express.

Testime molekulare (PCR) deri më tani nuk ka kryer laboratori UBT me seli në Lipjan. Në deklaratën nën betim ky laborator ka thënë se e kanë infrastrukturën e nevojshme për të kryer testime, por gjatë inspektimit nga ana e MSH-së është parë se nuk i plotësojnë kushtet. Si rrjedhojë MSH këtij laboratori (UBT-së), ia ka pezulluar lejen për kryerjen e testeve serologjike dhe atyre me metodën PCR.

“Pas fillimit te licencimit të ISHP, 1 laboratori privat i është pezulluar vendimi për lejimin e shërbimit të testimit molekular (PCR) me që i njëjti në momentin e Inspektimit nga Inspektorati Shëndetësor, nuk i ka pasur te gjitha pajisjet e nevojshme dhe stafin sikur i ka deklaruar ne aplikacionin për licencim të shërbimit pranë Bordit për Licencim te ISHP dhe sikur ka nënshkruar Deklaratën nën betim”, thuhet në përgjigjen që zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë i kanë dhënë Expressit.

Por, ka pasur edhe laboratorë të tjerë në Kosovë që kanë kryer shërbime, pra testime PCR dhe serologjike e që janë dënuar pasi që nuk kanë qenë të pajisur me leje nga ana e institucioneve shëndetësore në vend.

Megjithëkëtë, para licensimit të Iinstitucioneve Shëndetësore Private për testime serologjike dhe molekulare, Inspektorati Shëndetësor i ka dënuar 3 institucione shëndetësore private për kryerje të testimeve serologjike pa leje në vlera financiare deri në katër (4) mijë euro.

E monitorimin e punës dhe inspektimin e institucioneve private shëndetësore e ka për obligim që ta bëjë Inspektoriati Shëndetësor që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.