Valbon Krasniqi flet për valën e dytë të koronavirusit

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKUK-së, Valbon Krasniqi ka folur për gjendjen me pandeminë në vend dhe valën e dytë të koronavirusit.

Ai tha se planifikimi për pandeminë ka qenë për tre muaj. Mirëpo, shton ai, tani duhet të bëhen planifikime të reja, sa i përket furnizimeve me materiale mbrojtëse.

Duke e komentuar “dy javëshin” e virusit, ai tha se kjo po shihet në gjithë botën se kjo pandemi nuk po “zhduket” në stina të ndryshme.

“Është një virus me shumë të panjohura. Është shumë e vështirë të parashikohet vala e dytë se a do të vijë në vjeshtë apo në dimër, apo si do të paraqitet”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Ai tha se ende është diskutabile edhe çështja e imunitetit.

“Disa studime po thonë që imuniteti zgjatë tre muaj pas infektimit, mirëpo nuk ka një qëndrim përfundimtar për këtë çështje”, tha ai.

Sidoqoftë, ka shtuar ai, Kosova duhet të jetë e përgatitur për secilin skenar të mundshëm.

Ai ka folur edhe për hapjen e shkollave.

“Nëse ne do ta mbajmë maskën, e mbajmë distancën dhe respektojmë masat tjera, atëherë mund të hapen shkollat dhe të vazhdojë procesi mësimor”, ka përfunduar Krasniqi.