Varret e Kosovës në Kukës dhe rrëfimet e varrmihësit Sedë Cahani

Rexhep Shahu

(fragmente nga libri im ne proces Lufta ime per Kosoven)

1.
Për këtë carrok të kam treguar se si ma kanë lanë në dorë, dhe tregon me gisht drejt varrit rrezë plepit. Ma ka lanë në dorë nana e tij. Të mbështjellë. M’pat thanë ajo grue “ta kam ba hallall ket evlat o njeri…”. Unë nuk e shplova për me ia pa fytyrën. Nuk e shplova sepse u shtanga se si ma lanë në dorë. Ajo nanë që e solli, veç qante. Boria e një makine që e priste me do njerëz të tjerë binte e binte. Ajo ishte krejt e tronditne, e hutueme. Ishin edhe do fëmijë të tjerë me të. Boria e makinës e thërriste, do njerëz e thërrisnin me za të naltë. Po shkojshin për në Tiranë. Me pshtue kryet… Shpresa për mbijetësë e thërriste atë grue që ishtë ngushtue në loçkë shpirtit, tregon Seda.

Këtë carrok nuk e heq kurrë prej mendje dhe vij e shoh përditë, e kam varrosë me dorën teme mu këtu, mu në skaj të plepit, për mos me e harrue kurrë, tregon ai me dorë në drejtim të vorrit rrëzë plepit. Këtë carrok e kam varrosë ngjitë me nipin tim, veç për mos me e harrue kurrë…

Nuk më lanë as emën as adresë se ishin të hutum e nuk patën hiq kohë. Edhe mua, boll i mësuem me vdekje, nuk mu çel goja për me i pyetë për emrin e carrokit, për emrat e familjes apo adresat e tyre.

Nuk e di ç’ka ashtë ba me atë grue e atë familje. Nuk e di ku janë. Hala nuk kanë ardhë me i ra pas vorrit të këtij carroki, flet mendueshëm varrmihësi, ndërsa zhvendoset shumë mendueshëm drejt një vorri tjetër jo të vogël po të madh.

2.
Këtu është vorri i parë që kam çelë në Kukës për shqiptarët e Kosovës, më thotë Seda duke tregue vorrin. Këtu kam varrosë një grue mbi 60 vjeçe. E kam varrosë me 13 mars 1999. E kena marrë në morg të spitalit të Kukësit. Pa emën, pa asnjë të dhanë për të. Kam shkue bashkë me shoferin tonë Ahmet Bela dhe e kena marrë në morg. Si sot ia kujtoj teshat që kishte veshë. Tutat bojëkafe, fundin bojëkafe me lule të bardha e të zeza. Fenellën e brendëshme e kishte të thurme me dorë ngjyrë jeshile të zezë. Shallin e madh, si ato shallat që çesin zojat mbi supe, e kishte bojë kafe, vijon Sedë Cahani. Edhe këtë vorr nuk mundem me e harrue kurrë sepse është vorri i pare i kosovarve në Kukës. Por për këtë plakë nuk di askush kurrgja. Nuk ashtë pyetë kërkush dhe s’ka asnjë identitet. Nuk po di çka me thanë ma tepër…

3.
Mbi 100 vorre i kanë shplue të afërmit e tyre brenda 3 muajve të parë pas luftës. Kanë ardhë njerëz të afërt prej Kosovë dhe i kanë identifikue shumicën dhe i kanë marrë xhenazet e i kanë çue në Kosovë.

Na kur i varrosshna të dekmit, ua shkujshna emnin në një letër. Letrën e futshna në një shishe. Në çdo vorr kena pas futë nga një shishe me një letër në të me emrin e të varrosurit. Kur vijshin kosovart për me kërkue njerzit e vet, sa shplojshna vorrin e gjenim shishen dhe bëhej identifikimi saktësisht.

Vorret që kanë mbetë këtu duhet me nëjt këtu, flet ngadalë varrmihësi Sedë Cahani. Këto vorre janë histori. Por duhen rregullue si vorret e vendasve. Unë nuk e di se kush i rregullon. A ka fonde bashkia e Kukësit me i rregullue apo jo nuk e di. A ndoshta vetë kosovarët i rregullojnë. Nuk e di. Unë sa të jem gjallë due me i mirëmbajtë këto vorre të Kosovës. Ua kam borxh te vdekurve në atë kohë gazepi…