Vendos Qeveria: S’ka pushim të hënave nëse festat bien në fundjavë

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës, ka mbajtur mbledhje korresponduese, e 24-ta me radhë, në të cilën ka miratuar projektligje, vendime dhe dokumente të tjera të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Një nga vendimet e mbledhjes së sotme të Qeverisë është edhe ai për festat zyrtare, ku parashihet që në rastet kur festat zyrtare bien në ditën e shtunë ose të diel, ato të mos kompensohen me pushim gjatë ditës pasardhëse të punës.

“Qeveria e konsideron të nevojshme që ky projektligj duhet të plotësohet dhe ndryshohet dhe neni 4 të fshihet në tërësi dhe të riformulohet si në vijim: “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, nuk do të jenë ditë pushimi ditët pasardhëse të punës”.

Edhe ashtu, Kosova është kritikuar disa herë për numër të madh të festave zyrtare.

Mbetet të shihet nëse ky projektligjt do të kalojë në Kuvendin e Kosovës.