Vetëm ndërrimi i territoreve krijion Kosovë stabile

Daut Dauti

Kosova është vepër e sulltan Abdyl Hamitit. Formimi i Vilajetit të Kosovës (1876) është bërë me qëllim që të ngulfatet nacionalizmi shqiptar dhe të pengohet ideja e zgjerimit të Serbisë në jug dhe me këtë të ruhet tërësia territoriale e Perandorisë Otomane.

Asnjë funksion tjetër nuk ka patur kjo njësi territoriale administrative.

Si njësi territoriale administative Kosova është lajmëruar sërish në vitin 1974.

Sërish me të njejtin qëllim: të ngulfatej nacionalizmi shqiptar në Jugosllavi dhe të qëtësohej ai serb.

Tito nuk bëri asgjë më shumë se Abdyl Hamiti, por vetëm e ringjalli idenë e dështuar otomane duke dashur ta shpëtonte Jugosllavinë sikur sulltani Perandorinë.

Kosova e pas vitit 1999 e ka të njejtin qëllim. Tashti është ‘vepër’ ndërkombëtare.

Sidoqoftë, në të tri rastet Kosova nuk është krijuar për t’i kënaqur shqiptarët, por për të ruajtur një strategji të dështuar. Në të tri rastet Kosova është ndërtuar për t’u kontrolluar nga jashtë.

Në rastin e parë nga Stambolli, në të dytin nga Beogradi dhe në të tretin nga Brukseli dhe Washingtoni.

Në të tri rastet ekzistimin e Kosovës e kanë mbrojtur vetëm ata që kanë patur përfitime materiale. Edhe sot është kështu.

Kosovën e ‘mbrojnë’ ata që dëshirojnë të mbesin në pushtet dhe vegla të Brukselit dhe Washingtonit, përfituesit e fondeve ndërkombëtare, së bashku me mediat që pijnë ujë në çeshmen ndërkombëtare dhe natyrisht së bashku me bizneset që nuk e durojnë trazimin e situatës ‘normale’.

Prandaj, Kosova nuk funksionon brenda kufijve të sotëm për shkak se është dizajnuar të mos funksionoj duke e mundësuar Serbinë të jetë faktor.

Vetëm ndërrimi i territoreve e zgjidhë problemin e Kosvës dhe njëkohësisht i jep fund problemit shqiptaro-serb.

Çfarëdo varianti tjetër është vetëm prolongim i pengimit për zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe problemit shqiptaro-serb.