Vetëvendosja e ka komplikuar punën, komunikimi VV-LDK për t’u çuditur

Pretendentit për kryeministër, Albin Kurtit, i kanë mbetur edhe 12 ditë kohë për të formuar Qeverinë.

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, MilazimKrasniqi, thotë se Lëvizja Vetëvendosje e ka komplikuar pa nevojë punën.

Ai tregon se cila parti duhet të lëshojë pe në mënyrë që procesi të ecë përpara.

“E para me video-mesazhe, me letra e dyta me zgjedhjen e Kryeparlamentarit pa marrëveshje dhe kjo pastaj ka dërguar ujë në mullirin e zërave të LDK-së që kanë qenë kundër marrëveshjes. Të dyja palët kanë pjesën e vet të fajit dhe përgjegjësive, por Vetëvendosja dhe z.Kurti si fitues i zgjedhjeve, besoj është dashur të tregohet më tolerant, më fleksibil ndaj kërkesave dhe më korrekt në mënyrën e komunikimit”, tha ai.

E duke folur për vizitën e të dërguarit të posaçëm, Richard Grenell dhe mesazhet që dha ai sot, Krasniqi thotë se prognozat janë të vështira meqë procesi negociator është komplikuar jashtë mase.

Krasniqi për “Front Online” tha se është çuditur me këtë lloj komunikimi, ngase siç tha ai, me lëvizjet e ambasadorit amerikan Grenell do të tejkalohen këto mosmarrëveshje dhe paragjykime dhe do të arrihet marrëveshja.

“Vërtetë është e vështirë të prognozohet, por pas mesazheve që ka sjell ambasadori Grenell, kam përshtypjen se do të ketë një qartësim sepse çdo gjë që LDK-ja dhe VV-ja kanë thënë se kanë harmonizuar programin duket që problemi më i madh është qasja ndaj zhvillimit ekonomik, prandaj ambasadori Grenell e ka theksuar, ka të bëj sipas gjitha gjasave me “Kosovën e Re “ dhe Trepçën edhe me investimet “, tha Krasniqi për “Front Online”.

Sipas tij, nëse edhe Kurti edhe Mustafa kanë marrë saktë mesazhin do të lëvizet më shpejt në formimin e Qeverisë .

“Në momentin që ai e jep një version që duhet të ndodh zhvillimi ekonomik, ajo është politikë. Më duket se kjo është e rëndësishme dhe kjo është traseja që do të kërkohet arritja e marrëveshjes”, shtoi Krasniqi.