Viktimat nuk mund të privohen nga e drejta për të kërkuar drejtësi

“Kërkimi i drejtësisë për viktimat e djeshme të mizorive, nuk duhet të bëhet në atë mënyrë, që t’ua bëjë të mundur të vdekurve të sotëm, të jetojnë nesër”.

Shkruan: Nijazi IDRIZI

Përpjekje për ta trajtuar problemin e krimeve të rënda kanë qenë të vazhdueshme në çdo vatër të krizës. Shumë shtete, shpeshherë edhe me inkurajimin e OKB dhe shteteve të fuqishme demokratike të botës, në emër të paqes dhe pajtimit, kanë provuar modele të ndryshme të arritjes së tyre duke filluar nga themelimi i Komisioneve të Pajtimit, dënimet jopenale, shpalljen e amnistive etj.

Disa vende, në hapin e parë të pajtimit kanë themeluar me ligj Komisione të së Vërtetës dhe Pajtimit. Me këto komisione janë zbardhur rastet e krimeve, bashkë me rrethanat që i sollën ato. Zbulimi i këtij informacioni ishte thelbësor për të provuar arritjen e pajtimit me segmente të shoqërisë që ka qenë viktima gjatë konfliktit.

Komisionet e tilla do të mund ta luanin një rol në shtetet e krijuara nga shembja e Jugosllavisë, (Bosnjë, Kosovë, Serbi e Kroaci), për ti zbuluar të zhdukurit, për ti sqaruar disa vrasje enigmatike (siç ishte rasti Panda), për ti zbuluar vendet e minuara, për ti kthyer te pronarët gjësendet e plaçkitura etj. Me këto veprime do të mund të evitoheshin tragjeditë e reja dhe njerëzit do ti pranonin si mesazhe pozitive. Por kjo nuk u bë! Përkundrazi, plaçkitja u konsiderua si plaçkë lufte (madje edhe viktimat), ndërsa vrasjet e reja të njerëzve si “trofe” të pasluftës.

Këto komisione kanë pas mjaft sukses në rastet kur krimet kanë ndodhur brenda të njëjtit komb ose fe.

Në Kosovë, përkundër një tradite të suksesshme nga koha e pajtimit të gjaqeve të viteve ’90, ky model nuk u provua sërish, edhepse kishte nevojë të mbylleshin ato plagë që i shkaktoi adrenalina e luftës  dhe krimet e  pasluftës (lufta për pushtet) të cilat  lanë shije të hidhur  në përjetimin e lirisë.

Në disa shtete, ndaj kriminelëve u aplikuan disa dënime jopenale. Këto ishin disa kombinime të dënimeve si: përzënia e udhëheqësve të krimeve nga Atdheu i tyre, zbulimi i krimeve nga vet kriminelët, dhënia e informacionit për vendndodhjen e të zhdukurve, dëmshpërblime për viktimat, e drejta e njerëzve për ta njohur të vërtetën, kthimi i pasurisë të fituar në mënyrë të paligjshme etj. Të gjitha këto akte kanë ndikuar në një masë të kufizuar në fillimin e kthimit të besimit te qytetarët. Për sa  përket regjionit tonë, institucionet e tyre shtetërore le që nuk kanë bërë gjë në këtë drejtim, por e kanë kufizuar edhe shoqërinë civile në disa nisma shpesh të suksesshme (Natasha Kandiq në Serbi). Ndërsa Tajkunët në Kroaci e Serbi dhe Nxania në Kosovë, kanë plaçkitur dhe shkatërruar kapitalin shoqërore i cili ofronte mundësi të mjaftueshme për ta bërë kapërcimin në sistemin kapitalit me pronarë privat të dëshmuar në suksese.

Disa shtete (e madje edhe OKB), në interes të parandalimit të përhapjes së dhunës, shpeshherë në emër të paqes, kanë bërë tregti me drejtësinë, duke e pranuar amnistinë si model për mbylljen e konflikteve. Shtetet si Peru, Salvador, Argjentinë, Kili, Haiti, Sierra Leone, Afrika e Jugut, Kolumbia, Algjeria etj. kanë miratuar ligje për amnisti për shkak se nuk kanë qenë të afta të ndjekin kriminelët.

Një qasje të tillë e kishin pas të gjitha shtetet që dolën pas luftërave në ish Jugosllavi, me ndryshimin se ato nuk miratuan ligje për amnisti, por heshtazi e zbatuan atë. Në këtë drejtim shembull ishte Serbia e cila formalisht e themeloi një gjykatë për krime të luftës, por që ajo më shumë u morr me mbrojtjen dhe rehabilitimin e  kriminelëve se me dënimin e tyre. Në anën tjetër, as në Kosovën e administruar edhe nga ndërkombëtarët, nuk u morr kush me këtë çështje (hiq disa spektakleve të cilat patën jehonë negative në opinion).

Për më keq, oligarkët tanë të kapur nga dëliri i madhështisë dhe të mashtruar edhe nga Serbia, (në emër të pajtimit me të), i zhdukën edhe dëshmitë e krimeve serbe në Kosovë, (të grumbulluara më shumë në mënyrë  stihike), që kishin vlera referente. Për dy decenie dëshmitarët u rralluan e dëshmitë u kalbën nëpër bodrume dhe u zhdukën në mënyrë të organizuar nga duart e zeza. Përkundrazi, Serbia nuk e ndërpreu punën e grumbullimit të dëshmive për “krimet e UÇK-së” ndaj serbëve, të cilat i deponoi në Gjykatën Speciale në Hagës. Sot, pas akuzave të kreut të UÇK-së, mungojnë ato dëshmi me të cilat do të mundë të përdoreshin si ekuilibër në vendosjen e drejtësisë edhe për viktimat e Kosovës. Me këto dëshmi, rreth 5 mijë serb (sipas vet presidentit Vuqiç), do të përballeshin me telashet e arrestimeve në kufi, ashtu siç po përballen edhe kosovarët vite me radhë.

Se ka pasur një ide të tillë edhe në Kosovë, këtë e dëshmoi thirrja për amnistinë e kriminelëve (në Serbi dhe Kosovë), që e bëri një sekser i njohur, (një zot e di me porosi të kujt), me arsyetimin banal “se lëndët janë vjetruar“!

Por të gjitha këto modele, dhanë rezultate të kufizuara. Juristët ishin kundër amnistisë, sepse nuk donin ti privonin viktimat nga e drejta për të kërkuar drejtësi, si e drejtë themelore e njeriut, duke këmbëngulur në gjykimet penale si mënyrë të vetme me të cilën nderohen vuajtjet dhe rivendoset në vend dinjiteti i viktimave. Poashtu, edhe shkencëtarët kishin ardhur në përfundimin se kriminelët nuk i qetëson falja, por i inkurajon për krime të reja. Madje, duhet të theksohet shembulli i autorëve serb të krimeve të rënda të cilët bënë mizori mbi popullsinë civile boshnjake dhe shqiptare. Ata nuk ishin kriminelë të zakonshëm, sepse ishin të motivuar që nga fëmijëria me ideologji të superioritetit kombëtar ndaj tyre dhe kishin bindjen se aktet e tyre të krimeve ishin obligim moral. Me motive të tilla shkelën jo vetëm aktet juridike ndërkombëtare, por edhe ato morale, pa u trembur nga përgjegjësia penale që mund ti zinte. Dhe kështu ndodhi!

Duke u nisur nga këto arsyetime, në vitet 1990, OKB themeloi disa gjykata ndërkombëtare për krime lufte: në Ruandë, Sierra Leone, Timori Lindor, ish Jugosllavi dhe filloi ta zbatoj të drejtën ndërkombëtare, e cila e zëvendësoi të drejtën e amnistisë kombëtare. Njerëzimi e fitoi të drejtën e ndëshkimit të kriminelëve kudo. E drejta ndërkombëtare doli mbi ligjet kombëtare të cilat nuk mund të garantonin imunitet.

Shumica e kriminelëve serb (hiç disa nga ta), jo vetëm që mbetën të pandëshkuar, por mbetën edhe në pushtet dhe po vazhdojnë të armatosen për krime të reja. Blerja e armatimit modern nga Rusia dhe Kina e ka nxitur rajonin në garën e armatosjes, ku ata po vringëllijnë kërcënueshëm mbi kokat e kosovarëve të cilët mbetën duarthatë, për shkak varfërimit ekstrem pas plaçkitjes së shtetit të tyre nga oligarkët. Evitimi i përgatitjes për krime të reja mund të bëhet vetëm nëse ata vendosen para drejtësisë. Ky është edhe obligim i mbetur ligjor, social e moral i njerëzimit.

Ky fat duhet t’i pres të gjithë kriminelët. /Mediafokus.info/