“Vjeshta e Gjilanit” vazhdon deri më 21 dhjetor

Organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, në bashkëpunim me Bibliotekën e qytetit “Fan Noli”, në Gjilan është duke vazhduar edicioni i dhjetë i “Vjeshta letrare”, një manifestim ky i mbushur me veprimtari letrare, që nga hapja e tij, më 19 tetor e deri në përmbyllje, më 21 dhjetor.   

“Vjeshta….” është hapur sivjet me përurimin e monografisë “Mark Gashi – veprimtaria atdhetare dhe arsimore”, e autorit Rahim Azemi, për të vazhduar tutje, më 2 nëntor, me portretin letrar të Nexhat Rexhës. 

Më 23 nëntor u prezantua Linditë Ramushi – Dushku, me dy veprat më të reja letrare.

“Vjeshta e Gjilanit” vazhdon tutje, ku pjesë e saj do të jenë edhe Biser Mehmeti, me librin “Takim me vrasësin tim”, Edi Shukriu dhe të tjerë krijues.

Një pjesë e manifestimit zhvillohet në qytetin e Ferizajt, në Qendrën për Kulturë, më 7 dhjetor.

Sabit Rrustemi, përgjegjës i Ars Clubit “Beqir Musliu”, njëherësh ideator i “Vjeshtës letrare të Gjilanit” thotë se manifestimi do të vazhdojë rrugëtimin e vetë tutje.